Kryetari i VMRO-DPMNE-së në Maqedoni ka deklaruar se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale të vendit. Duke u shprehur i bindur për fitore, Ristijan Mickovski ka paralajmëruar se më pas do të luftojë për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, ai ka përsëritur thirrjen drejtuar institucioneve që të bojkotojnë gjuhën shqipe.
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski në intervistën për televizionin ALFA ka bërë të ditur se partia të cilën e drejton nuk do ti bojkotojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale duke përsëritur kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Hristijan Mickovski – Kryetar i VMRO – DPMNE-së:
“VMRO-DPMNE do të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe do të fitojë në këto zgjedhje, dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë dhe as që do të kemi. Ne gjithashtu kemi kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se kemi një parlament ku të zgjedhurit e popullit, mbrohen nga populli me anët policisë”.
Publikimin në Gazetën Zyrtare të Ligjit për Gjuhët dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, kreu i opozitës e quajti të jashtëligjshme, duke shtuar se Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi kanë kryer “atentat” ndaj Maqedonisë.
Hristijan Mickovski – Kryetar i VMRO – DPMNE-së:
“Para Gjykatës Kushtetuese si parti politike do të ngrejmë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë e këtij ligji dhe njëkohësisht u bëmë thirrje të gjitha institucioneve pa marrë parasysh nëse janë në nivel qendror apo lokal, ta bojkotojnë e ta injorojnë operacionzlizimin e këtij ligji në punën e tyre”.
Kanë reaguar nga LSDM-ja. Socialdemokratët përmes një komunikate kanë theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është konform kushtetutës dhe është një kontribut serioz në ndërtimin e konceptit “një shoqëri për të gjithë”.
“LSDM-ja u përcaktua për politika që I japin fund ndasive dhe ndërtojnë Maqedoninë si shtet qytetar ku të gjithë do të jetojnë në të. Me përparimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve, askush nuk humb, por mundësohen kushtet për komunikim më të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve”.
Nga LSDM-ja gjithahstu kanë theksuar se VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe lideri I saj Mickovski nuk kanë arritur ta bllokojnë anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, duke akuzuar drejtuesit e kësaj partie se ende janë duke marrë urdhëra nga Budapesti, duke aluduar në ish-Kryeministrin Gruevski./abcnews.al