Me një shumicë dërrmuese, Parlamenti britanik ka rrëzuar marrëveshjen e kryeministres Thereza Mej për daljen nga Bashkimi Europian. opozita laburiste e ka cilësuar rezultatin e votimit si humbjen më të rëndë për një qeveri britanike në dekada. Ndërsa presidenti i KE-së, Zhan Klod Junker ka ftuar Mbretërinë e Bashkuar të sqarojë cilat janë synimet e saj.
Parlamenti britanik ka hedhur poshtë marrëveshjen e Brexit të ndërmjetësuar nga kryeministrja Thereza Mej dhe Bashkimi Europian. Në seancën e mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, pro marrëveshjes votuan vetëm 202 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kundër 432. Duke reaguar, kryeministrja Mej deklaroi se qeveria e saj do ta dëgjojë fjalën e Parlamentit, por akuzoi klasën politike se ka vepruar kundër vullnetit të qytetarëve. “Votimi i sotëm nuk na tregon asgjë se çfarë mbështet Parlamenti, apo nëse ky institucion ka ndërmend të respektojë vullnetin që qytetarët shprehën në referendumin e dy viteve e gjysmë më parë”, tha Mej. Ajo theksoi se qeveria e saj është e gatshme t’i nënshtrohet një votëbesimi parlamentar, nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga opozita. Në reagimin e tij, lideri i opozitës Xheremi Korbin deklaroi se, votimi i së mërkurës është humbja më e rëndë për një qeveri britanike që prej vitit 1920. Ai nënvizoi se e ka parashtruar votëbesimin për qeverinë, të cilën e akuzoi se në dy vjet ka punuar vetëm për interesat e Partisë Konservatore dhe jo ato të popullit britanik. Duke theksuar se bëhet fjalë për një verdikt vendimtar, Korbin shtoi se Londra duhet të sigurojë një marrëveshje doganore me Brukselin dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj. Sa për kryeministren, kreu i laburistëve tha më tej se Mej i ka mbyllur të gjitha dyert për dialog. Me keqardhje për rezultatin e votimit reagoi ndërkohë presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, i cili përmes një postimi në Tëitter i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të sqarojë sa më parë synimet e saj. “Sepse koha po mbaron”, tha Junker. /abcnews.al


