Dy personat e dyshuar për vrasjen e shqiptarit Arbër Bako në burgun grek janë marrë në pyetje nga prokurorët. Këta të fundit, sipas mediave greke, po shkojnë drejt zbardhjes së shkaqeve të vrasjes, që dyshohet se ka në sfond ekzekutimin e avokatit Mihalis Zafeiropoulos.
Dy personat që akuzohen për vrasjen e Arbër Bakos të hënën në burgun Koridalos të Athinës janë paraqitur para hetuesve të çështjes. Ata janë një shtetas shqiptar i moshës 33 vjeç dhe një grek me moshë 24 vjeç. Ata mbërritën në prokurorinë e Pireut nën masa të rrepta sigurie dhe pas komunikimit të akuzave nga ana e prokurorit u rikthyen në burg. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore. Bako është goditur disa herë, në mënyrë shumë të egër me një thikë artizanale, në qafë dhe në kokë. Shtetasi shqiptar vuante dënimin për ekzekutimin e avokatit Mihalis Zafeiropoulos, ndërsa Bako ishte dënuar si porositës i asaj vrasjeje. Para prokurorit të Pireut, 33-vjeçari ka thënë se ai u implikua me pa të drejtë në dosjen e vrasjes së avokatit. Agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA citon burime të policisë, sipas të cilave 33-vjeçari dhe viktima patën një debat që përfundoi në gjakderdhje të hënën paradite, në prag të rigjykimit për çështjen Zafeiropoulos. /abcnews.al