Është inauguruar hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit. Për kryeministrin Edi Rama i gjithë ky proces, që ka nisur të zbatohet pas mbledhjes së qeverisë së Shqipërisë e asaj të Kosovës, do ta kthejë kufirin në formal.
Ky është stacioni i radhës i rrugëtimit të projektuar nga dy qeveritë shqiptare.
“Hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Fatmir Limaj.
Kufiri Shqipëri -Kosovë kthehet në një kufi formal tha kryeministri Edi Rama. Ndërveprimi i sistemeve që do të fillojë prej ditës së martë do të zgjasë pak minuta për çdo procedurë.
“Shkurtimi i burokracive, orëve të pritjes e kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset, janë efekt i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyre doganore”, tha Rama.
Për kryeministrin Rama vazhdimi i këtij procesi me vendosjen e të njëjtit standard më të gjitha pikat doganore dhe jo vetëm për Kosovën në Shqipëri, por edhe për Shqipërinë në Kosovë, është objektivi afatshkurtër.
“Njohja reciproke e dy sistemeve doganore, agjentëve doganorë online, mundësimi i kryerjes së procedurave doganore duke shfrytëzuar teknologjinë dhe realizmi i qëllimit të një administrate doganore, e cila edhe pse ka dy koka funksionon si një trup i përbashkët në shërbim të sipërmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë përbën një lajm të rëndësishëm për gjithë sipërmarrjen”.
Edhe shifrat tregojnë efektin e këtij bashkimi doganor nënvizoi shefi i qeverisë sipas të cilit 62 milionë euro më shumë rezulton të ketë sjellë volumi i shkëmbimeve tregëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kjo nuk është një vlerë për t’u krenuar, pasi në raport me ambiciet që kemi shifrat janë larg dhe potenciali i përbashkët është shumë më tepër se kaq, por janë më tepër se sa ishin”.
Akoma edhe më e rëndësishme për kryeministrin Rama është se ky proces i con dy shtetet shqiptare jo vetëm në një bashkëpunim doganor./abcnews.al