Polonia, Lituania dhe Letonia do t’i kërkojnë NATO-s që të zhvillojë bisedime urgjente për shkak të krizës së emigrantëve në kufijtë e tyre me Bjellorusinë, sipas një deklarate të kryeministrit të Polonisë.
Duke folur për mediat shtetërore polake, kryeministri Mateusz Morawiecki tha se së bashku me homologët e tij nga dy shtetet baltike, po diskutonin nëse do t’i kërkonin aleancës ndihmë, sipas nenit 4 të traktatit. Neni lejon çdo aleat të kërkojë konsultime nëse vëren se integriteti i tij territorial, pavarësia politike ose siguria po kërcënohet.
Tensionet në kufi duket se u përshkallëzuan javën e kaluar, me autoritetet polake që postuan video të grupeve të emigrantëve në kufirin me Bjellorusinë, duke u përpjekur të kalonin në BE. Sipas BE-së, Bjellorusia ka zhvilluar një “luftë hibride” duke lehtësuar aksesin e emigrantëve për muaj të tërë në kufirin e jashtëm të bllokut si shenjë hakmarrjeje për sanksionet ndaj regjimit.
Vendet në kufi janë kundërpërgjigjur duke përforcuar kufijtë e tyre dhe duke kërkuar të bllokojnë rrugën e sapohapur të migracionit. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në Poloni, gazetarët dhe punonjësit e të drejtave të njeriut nuk mund të udhëtojnë në kufi për të verifikuar ngjarjet.
Morawiecki u zotua në një intervistë me PAP se kufiri i Polonisë me Bjellorusinë “do të jetë një pengesë efektive dhe përfundimtare” ndaj veprimeve të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko. “Nuk ka dyshim se situata është tensionuar edhe më shumë,” tha Morawiecki.
Shumë emigrantë janë bllokuar tani në kampe të improvizuara, pasi Polonia ka përforcuar kufirin e saj me 15,000 ushtarë, përveç rojeve kufitare dhe policisë. Shumica po ikin nga konflikti ose varfëria në Siri dhe Irak dhe shpresojnë të arrijnë në Gjermani ose gjetkë në Europën Perëndimore.
Të shtunën, autoritetet polake raportuan se trupi i një të riu sirian u gjet pranë kufirit Bjellori-Poloni.
/abcnews.al