Parlamenti do mblidhet nesër në orën 17.00 në seancë plenare. Vendimi është marrë në konferencën e kryetarëve, pas kërkesës së kryeministrit. Shkak për këtë nisje të parakoshme të sesionit të ri, janë bërë dekretet e ministrave të rinj, të cilët kanë marrë firmën e Presidentit të Republikës. Votimi i tyre në seancë, do pasohet nga betimi para Presidentit të Republikës, e nisja menjëherë nga puna.
Konferenca e kryetarëve ka pranuar në parim kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zv/ministrin Gent Cakaj, ç’ka do thotë se opozita do jetë nesër në Kuvend.
Nuk dihet nëse deri nesër do ketë një përgjigje nga Presidenti i Republikës për propozimin që kryeministri të mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm. Një ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë, socialistët kishin vendosur votimin në bllok të gjithë emrave të ministrave të dekretuar.
“Opozita bojkoton parlamentin 6 muaj. Komisionit hetimor që ju i referoheni i ka skaduar afati, ka më shumë se një muaj. Është e parashikuar shumë qartë që zgjatja bëhet brenda afatit që ka komisioni. Nëse kërkesa nuk depozitohet brenda afatit, komisioni quhet i shpërndarë. Duhet të rrish më shpesh në Kuvend, ose duhet të jesh më i vëmendshëm në rregulloren e Kuvendit që kërkesat edhe të mos i bësh orale, por me shkresë sepse nuk ka një shkresë të PD-së për këtë çështje, e cila duhet të shqyrtohet në bazë të ligjit për komisionet hetimore”, tha Balla.
“Po na detyrojnë që të bëjmë një kërkesë për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor, për çështjen e drogës pasi ende institucionet shtetërore ende nuk kanë sjellë infromacionet në mënyrë që të fillojë punën komisioni. Tani përgjigjet është e dyta herë që po kërkojmë zgjatjen e afatit me të njëjtin argument dhe me këtë rast kryetari Kuvendit nuk duhet të bëjë sehir por të detyrojë institucionet shtetërore t’i japin informacione komisionit hetimor se në rast të kundërt t’i çojë ata për ndjekje penale gjë që ne si opozitë do ta bëjmë”, tha nga ana tjetër Spaho.
/abcnews.al