Kancelarja Angela Merkel u bëri thirrje të shtunën të gjithë gjermanëve të pavaksinuar të marrin vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur. Apeli i saj vjen mes një rritje tjetër të ndjeshme të infeksioneve me koronavirus dhe numrit të personave që kanë humbur jetën si pasojë e tij.
“Nëse qëndrojmë së bashku, nëse mendojmë të mbrojmë veten, e të kujdesemi për të tjerët, ne mund të bëjmë shumë për ta shpëtuar vendin tonë këtë dimër”, tha zonja Merkel në podkastin e saj javor.
Megjithatë, kancelarja paralajmëroi se vendi ndodhet përballë disa javëve shumë të vështira përpara.
Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve në Gjermani tha se shkalla e infeksioneve në vend u rrit në 277.4 raste të reja për 100,000 banorë gjatë një jave, nga 263.7 një ditë më parë.
Instituti “Robert Koch” raportoi 45,081 infeksione të reja, dy ditë pasi totali ditor arriti në 50,000 për herë të parë. Që nga fillimi i pandemisë deri sot në Gjermani janë shënuar 97,617 vdekje si pasojë e COVID-19.
Ndërsa shkalla e infeksioneve nuk është ende aq e lartë sa në disa vende të tjera evropiane, rritja e ka futur Gjermaninë në një situatë alarmi. Kancelarja në largim Merkel planifikon të takohet javën e ardhshme me 16 guvernatorë të shteteve të këtij vendi, për të koordinuar masat mbarëkombëtare. Parlamenti po punon për të siguruar një kuadër të ri ligjor për kufizime gjatë periudhës së dimrit.
Revista gjermane “Der Spiegel” njoftoi se ushtria po kërkon të mobilizojë rreth 12,000 ushtarë deri në Krishtlindje për të ndihmuar spitalet e mbingarkuara, për të mbështetur përpjekjet për vaksinim, testimet në shtëpitë e pleqve dhe për të ndihmuar poliklinikat në gjurmimin e kontakteve të njerëzve të infektuar.
Zonja Merkel shprehu shqetësimin rreth numrit të lartë të pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv dhe rritjen e numrit të vdekjeve, veçanërisht në rajonet me shkallë të ulët vaksinimi./VOA