Nga John Hudak, Christine Stenglein & Elaine Kamarck, Brookings Institution
Teksa do të nisë gjyqi i fajësimit të dytë të ish-presidentit Donald Trump, ai hedh dritë mbi një realitet të ri. Edhe pse kanë kaluar afro 100 ditë që kur Trump humbi mundësinë për t’u rizgjedhur, ai nuk do të largohet, të paktën për një periudhë afatshkurtër.
Po çfarë do të ndodhë me Trumpin? Ja cilët janë 9 skenarët e mundshëm mbi të ardhmen e Trump. Katër të parët e mbajnë atë në qendër të politikës kombëtare; ndërsa në 5 të tjerët ai ka shumë të ngjarë që të zhduket nga skena.
- Mund të drejtojë fraksionin mbështetës ndaj tij në Partinë Republikane
Gjatë 4 viteve si president, Trump i konsolidoi me mjeshtëri pozitat e tij në mesin e votuesve republikanë në një lloj kulti të personalitetit. Përkrahësit e tij më fanatikë ishin gati të besonin gjithçka që thoshte ai, pavarësisht nga provat për të kundërtën.
Ata ishin të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre kur ai i mblidhte nëpër tubime, dhe u tall me ata që zbatonin masat e sigurisë për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ky grupim jo i parëndësishëm votuesish nuk po zhduket. Ai i qëndrojnë besnik jo partisë por Donald Trumpit. Mbetet të shihet se sa i madh është ky grup, dhe sa fuqi do të ketë në zgjedhjet brenda republikanëve.
- Do bashkojë lëvizjen MAGA, për të formuar një parti të tretë të madhe në SHBA
Kur nisi të kundërshtohej nga guvernatorët republikanë, sekretarët e shteteve, gjyqtarët, madje edhe kongresmenët, Trump hodhi idenë e krijimit të një parti të re për të promovuar pikëpamjet e tij, dhe për të krijuar një “shtëpi” për mbështetësit.
Mbështetësit më të flaktë të Trump, i ofrojnë atij jo vetëm besnikërinë e tyre. Por ata janë shumë skeptikë ndaj çdo Republikani që nuk bën të njëjtën gjë. Por krijimi i një partie të re do të ishte katastrofik për republikanët dhe do të ndihmonte demokratët.
- Do bëjë vazhdimisht thirrje për kryengritje të dhunshme
Gjatë gjithë periudhës pas zgjedhore, ish-presidenti Trump e mohoi humbjen e tij, dhe ngriti një industri të tërë të gënjeshtrave dhe dezinformatave në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve. Dhe në fund i motivoi mbështetësit e tij të reagonin me dhunë ndaj certifikimit të zgjedhjeve.
Këto thirrje kulmuan në trazirat e 6 janar në Capitol Hill. Ndërsa rebelimi u shtyp, idetë dhe motivet e kryengritësve në koalicionin e Trump nuk janë zhdukur. Trump mund të zhytet aq shumë në dëshpërim, sa të vendosë të vazhdojë t’i fryjë përplasjeve të dhunshme.
- Mund të hapë median e tij
Twitter i shërbeu Trumpit si mjeti më efektiv për të komunikuar me botën. Kur kompania vendosi një ndalim të përhershëm ndaj tij, kjo gjë zbehu shumë aftësinë e tij për të përhapur dezinformime dhe udhëzuar mbështetësit e tij. Në këto kushte ai mund të krijojë një mënyrë të re për të komunikuar me botën.
Kjo mund të përfshijë krijimin e një kanali televiziv lajmesh, në fillim si një platformë online dhe më pas si një rrjet më tradicional i lajmeve televizive. Kjo do t’i jepte Trump, familjes së tij, personaliteteve të tij të preferuara televizive dhe mbështetësve të tij më fanatikë, një platformë për të shprehur pikëpamjet e tyre.
- Mund të ruajë një rol periferik në Partinë Republikane, të ngjashme me atë të Sara Palin
Trump mund t`a humbasë betejën brenda Partisë Republikane, dhe të bëhet një figurë periferike e saj. Në këtë skenar, njerëzit nuk do t`a shohin më si ish-president. Përkundrazi, do ta shohin Trump si atë të politikanin neveritshëm që doli në pension në Florida, dhe që ulëret mbi teoritë e konspiracionit që lexon në internet. Mbështetësit e tij do t`a kujtojnë akoma me ëndje, por do t`a kenë kaluar mbështetjen e tyre për një kandidat të ri plot shkëlqim, si Josh Hawley ose Marjorie Taylor Greene.
- Do të dënohet nga Senati nga një Parti Republikane e gatshme të shohë përpara
Për dënimin e Trump do të duhet një mbështetje unanime nga senatorët demokratë, dhe votat e të paktën 17 senatorëve republikanë. Vota për të dënuar ose jo Trumpin, mund të jenë përçarëse brenda partisë. Por kjo do të sinjalizonte publikisht atë që një numër i qartë dhe i konsiderueshëm i republikanëve e thonë privatisht:rruga e vetme përpara për partinë është një botë pa Trump.
- Trump zhduket nga skena në mesin e një morie kallëzimesh penale dhe padive civile
Ky skenar do të varet nga ajo që ndodh në Departamentin e Drejtësisë, zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Nju Jork, atë të Qarkut në Manhatan, dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit në të gjithë vendin që po hetojnë aktualisht Donald Trump, fëmijët, miqtë e tij, dhe Organizatën Trump.
Nëse Trump do të përballet në të gjitha drejtimet me akuza dhe procese gjyqësore, do të kufizohet ndjeshëm aftësia e tij për t’u organizuar politikisht dhe financiarisht,dhe për të pasur kësisoj një rol me rëndësi në politikën e Partisë Republikane.
- Trump përfundon në burg
Ndoshta nuk ka shumë gjasa, por teorikisht është e mundur që ish-presidenti të mund t`a gjejë veten në një vend të ndryshëm nga paraardhësit e tij:në qeli i veshur me kominoshe portokalli. Një Trump i burgosur do t`a vështirësonte mundësinë e tij për të garuar sërish për president, apo për të mbështetur kandidatët e tij të preferuar. Edhe aftësia e tij për të mbledhur fonde do të kufizohej shumë.
- Trump do synojë të largohet nga SHBA, qoftë për të shmangur ligjin apo për t’u pasuruar
Nëse Donald Trump sheh se arrestimi është një mundësi reale, ai mund të bëjë atë që bëjnë shumë njerëz të pasur:të largohet nga vendi. Ndërsa nuk do të pranohej nga Emmanuel Macron apo Angela Merkel, ai do të pritej me kënaqësi në Rusi, Arabinë Saudite apo Izrael. Ai zotëron një avion privat, që ia lehtëson arratisjen nga vendi. /Përktheu: Alket Goçe-abcnews.al
*Marrë me shkurtime


