820 milion për borxhet në tatime, Këshilli Bashkiak vendos sot fatet e Vllaznisë

schedule12:58 - 25 Mars, 2021

schedule 12:58 - 25 Mars, 2021

Vllaznia kërkon të shpëtojë një herë e mirë nga borxhet që ka ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Dega Shkodër. Kryebashkiakja Voltana Ademi ka dërguar shkresën për lidhjen e marrëveshjes me tatimet për borxhin e prapambetur.

Shuma që duhet të paguhet nuk është e vogël, por në Shkodër e kanë gjetur një zgjidhje dhe është Këshilli Bashkiak i Bashkisë Shkodër që duhet të marrë një vendim në mbledhjen e ditës së sotme, që nis prej orës 17:00.

Një nga pikat e diskutimit në mbledhjen e sotme është rishpërndarja e fondeve të bashkisë dhe synohet që 820 milion lekë të kalojnë për klubin e Vllaznisë, në mënyrë që të mbyllen detyrimet e prapambetura për sigurimet dhe tatimet.

Me këto 820 milion lekë paguhet 20% e borxhit dhe më pas deri në fund të vitit 2021 shlyhen edhe këstet e tjera. Tashmë i mbetet Këshillit Bashkiak të votojë dhe t’i dalë në njëfarë mënyre krah Vllaznisë, që rrezikon edhe licencimin nga UEFA nëse nuk bëhet marrëveshja me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve deri më 31 mars.

Kjo do të thotë që Vllaznia ta vazhdojë pjesën e mbetur të kampionatit vetëm për formalitet, pasi për shkak të borxheve nuk do të merrte dot pjesë në kupat e Europës, gjithmonë nëse sportivisht e arrin diçka të tillë.

Ky objektiv është shumë pranë, duke pasur parasysh që kuqeblutë janë të parët në kampionat dhe në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Tashmë sytë të gjithë i kanë nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Shkodër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!