Radio Tirana ka kremtuar 80 vjetorin e krijimit të saj. Presidenti Ilir Meta vlerësoi me tituj disa prej personaliteteve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e të parës radio që ka folur shqip.
Kanë kaluar 80 vjet nga krijimi Radio Tiranës dhe emrat që meritojnë të vlerësohen janë të shumtë. Është presidenti Ilir Meta që i rendit prej fillimit.
“Një homazh të veçantë kam për Drejtorin e Parë, Gjergj Bubanin dhe për folësen e njohur Kaliopi Nushi, që po atë ditë nisi emisionin e parë në historinë e Radio-Tiranës”.
Historia vazhdoi me një tjetër ngjarje madhore krijimi i Orkestrës Simfonike të Radios, në vitin 1962. Meritat janë të shumë njerëzve por kreu I shtetit vecoi dy prej tyre.
“Radio-Tirana mban meritën që përmes dy gazetarëve të saj Alfons Gurashi e Agron Çobani krijoi shkollën e radiokronikës shqiptare”.
Presidenti Meta e quan veten me fat që ka qenë në kontakt me të gjithë punonjësit e radio tiranës.
“Për më tepër që dikur kam bërë edhe radio-kronistin sportiv, duke pasur nderin dhe privilegjin të jem në një farë mënyrë, edhe pse për pak kohë, nxënësi dhe kolegu juaj duke mësuar nga mjeshtërit e radio-fonisë sportive si Ismet Bellova apo Ahmet Shqarri”.
Presidenti Meta vlerësoi Drejtorin e parë të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanin (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”; folësit e parë: Kaliopi Nushi dhe Haki Bejleri (pas vdekjes) si dhe operatorin Todi Bojdani (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”.
Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” komentatorin sportiv Anton Mazreku dhe mjekun e shquar Hamdi Sulçebeu (pas vdekjes) si dhe të mirënjohurën pedagoge, folësen dhe artisten zonjën Vera Zheji me Titullin “Mjeshtër i Madh”. /abcnews.al