80 vite Pele/ Nga Adu, tek i pafati Dener: Kush janë ata që u rriten nën hijen e “mbretit”

schedule23:23 - 23 Tetor, 2020

schedule 23:23 - 23 Tetor, 2020

Pele feston 80-vjetorin e lindjes ditën e sotme dhe të shumta kanë qenë urimet për legjendën e futbollit brazilian dhe atij botëror. Në vendin ku futbolli dashurohet më shumë se gjithkund tjetër dhe aty ku lindin talentet më të mëdhenj të kësaj loje, po organizohen shumë aktivitete për nder të idhullit të tifozëve.

Falënderoj Zotin që bëri të mundur të mbërrija i shëndetshëm në këtë moshë. Jo edhe aq shumë inteligjent, por krejtësisht i kthjellët. Shpresoj që kur të ngjitem lart në qiell, Zoti të më pranojë njësoj siç ndodh me njerëzit këtu në tokë“, deklaroi “mbreti” Pele dy ditë më parë.

Tre Botërore ka fituar ish-sulmuesi i madh me kombëtaren “Seleçao” (1958, 1962, 1970). Krenaria e madhe dhe idhulli absolut i popullit brazilian, cilësohet si më i miri i historisë së futbollit nga shumëkush, teksa dualiteti me Diego Armando Maradonën mbetet i përjetshëm.

Në Brazil kanë lindur shumë futbollistë të mëdhenj pas tij dhe krahasimi me Pele nuk ka munguar për ta, por jo vetëm. Freddy Adu, sulmuesi me origjinë nga Gana dhe që ka mbrojtur fanellën e kombëtares së SHBA, kishte një talent fantastik kur ishte i vogël.

 

Freddy Adu dhe Pele

Vetëm 13 vjeç ishte kur firmosi një kontratë prej 1 milion dollarësh me Nike, teksa përfitonte edhe 500 mijë të tjera nga Federata e Futbollit Amerikan. Të shumtë ishin ata që e cilësonin si Pele i ri, por Adu nuk e përballoi dot presionin e madh dhe ka zhvilluar një karrierë tepër modeste.

Prej 14 tetorit është pjesë e Osterlen, skuadër që garon në divizionin e dytë të futbollit suedez… Edhe dyshja Robinho-Neymar nuk i kanë shpëtuar krahasimit me “mbretin” në fillimet e tyre. Të dy janë një prodhim i Santos, klubi ku Pele kaloi 18 vitet më të bukura të jetës së tij sportive.

 

Neymar dhe Robinho duke festuar një gol me Santos…

Të dy sulmuesit kanë luajtur me klube të mëdha si Real Madrid, Milan apo Barcelona, por pa ia dalë të shprehin gjithë talentin që Zoti u ka dhuruar, duke mbetur larg krahasimit me Pele, pavarësisht se ylli i PSG ka disa vite të mira përpara për të shkëlqyer e fituar trofe.

Një tjetër lojtar që kishte një potencial të madh dhe të gjithë në Brazil e shihnin si Pele i ri, ishte Dener, ish-sulmuesi spektakolar i Gremios dhe Vasco Da Gama. Zoti i kishte dhuruar shumë talent, por edhe fare pak fat.

Ishte 18 prilli i vitit 1994, Dener po priste me padurim Botërorin USA 1994, teksa u përfshi në një aksident fatal. Mitsubishi që drejtohej nga një mik i tij, u përplas me një pemë dhe talenti brazilian nuk u zgjua më. Pak ditë më parë kishte mbushur 23 vjeç dhe tifozët nuk mund të shijonin më magjitë e tij…

 

Maradona dhe Zico

I vetmi që i është afruar disi nivelit të Pele, është Zico. Mesfushori ofensiv luajti 71 ndeshje me Brazilin, në të cilat e gjeti 48 herë rrugën e rrjetës. “Problemi” i tij i vetëm ishte se shkëlqeu në epokën e një ylli si Diego Armando Maradona, për të cilin shumë mendojnë se ishte edhe më i madh se vetë Pele. /abcnews.al