Futën 80 000 litra naftë kontrabandë në Durrës, arrestohet kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës

schedule09:53 - 4 Gusht, 2022

schedule 09:53 - 4 Gusht, 2022

Policia e Durrësit ka arrestuar kapitenin e anijes dhe mekanikun e peshkarexhës të cilët kishin kontrabanduar 80.000 litra naftë më 23 korrik.

Që prej kësaj date kapiteni Flamur Aliu dhe mekaniku Nuri Xheka ishin në kërkim.

Në kërkim vijon të jetë ende shtetasi A.M  (administrator i peshkarexhës).

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Diesel”, i zhvilluar 2 javë më parë, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, që kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80.000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Si rezultat i këtij operacioni u shpallën në kërkim 3 shtetas, si dhe u sekuestrua peshkarexha me rreth 80.000 litra naftë të kontrabanduar.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore, si dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve:

– Flamur Aliu, 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarëxhës dhe Nuri Xheka, 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.

Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta 2 shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80.000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!