8 ministret e Ramës i shkruajnë Holandës: Na hapni negociatat, morëm çmim për barazinë gjinore

schedule18:15 - 8 Tetor, 2019

schedule 18:15 - 8 Tetor, 2019

Holanda është një prej vendeve që mund të rrezikojë negociatat e Shqipërisë, për shkak të shqetësimit të saj me bandat kriminale shqiptare. Koha për t’i ndryshuar mendje këtij vendi është duke skaduar, dhe më momentet e fundit qeveria e Edi Ramës ka vënë në lëvizje 8 ministret gra, të cilat i kanë shkruar një letër Holandës. Ato kërkojnë që të hapen negociatat, duke renditur si sukses numrin e lartë të grave në qeveri.

Nga kuzhina diplomatike e qeverisë është servirur këtë javë një  asortiment i ri: superfuqia e grave.

Një letër që mban firmat e 8 ministreve femra të Edi Ramës  i drejtohet parlamentit dhe qeverisë së Holandës, duke ju kërkuar të mos na bllokojnë integrimin.

Nuk dihet nëse ministret janë ulur bashkë në bankën e qeverisë dhe kanë përpiluar këtë letër, apo kanë shkuar vec për ta firmosur në paradhomën e kryeministrit, por ajo që vihet re, është se ministret kanë këtë argument kryesor:

“Ne jemi krenare të ndajmë me ju faktin se vetëm disa ditë më parë, Organizata e Grave të Kombet e Bashkuara e njohu Shqipërinë si një nga pesë vendet më të mira në botë me kabinetet më të ekuilibruara gjinore. Tetë nga 15 ministri në Qeverinë shqiptare mbahen nga gra”.

Holanda nuk ka shprehur ndonjëherë shqetësim për barazinë gjinore në Shqipëri, megjithëkëtë, Olta Xhacka, Anila Denaj, Belinda Balluku, Besas Shahini, Etilda Gjonaj, Elva Margariti, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali,  e shtrijnë dhe më tej argumentin, duke shënuar si sukses Arta Markun dhe Donika Prelën, jo për punën, por për gjininë.

“Në ditët e sotme, gratë përbëjnë të paktën 50% të të gjitha këshillave bashkiakë dhe 60% të të gjitha pozicioneve të larta në sektorin publik. Në të vërtetë, ato drejtojnë të gjitha institucionet kryesore që janë duke luftuar për të konsoliduar sundimin e ligjit në Shqipëri: Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda”.

Në 4 faqe letër, ministret e Edi Ramës i kërkojnë Holandës të mos lejojnë që forcat e errëta të bllokojnë prespektivën evropiane të Shqipërisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!