Universiteti i Arteve në bashkëpunim me koleksionistë shqiptarë prezantuan në Milano punët e 8 artistëve bashkëkohorë. Pedagogu dhe kuratori Ilir Kaso thotë se qëllimi kryesor është integrimi i artistëve të rinj jashtë Shqipërisë.
Krijimi i profilit individual është pjesa më e rëndësishme e një artisti. Universiteti i Arteve sëbashku me koleksionistë shqiptarë, janë bërë bashkë për të lançuar artistët bashkëkohorë jashtë Shqipërisë, pikërisht në Milano në panairin “E përballueshme”. 8 artistët e përzgjedhur janë emra të njohur të skenës bashkëkohore në artet pamore shqiptare të cilët për 2 ditë punët e tyre u prezantuan në panairin e artit bashkëkohor botëror.
Kuratori i ekspozitës Ilir Kaso thotë se ky është një shteg për të integruar artistët e rinj pas universitetit. Kaso është shpresë plotë për këta artistë të cilët me gjuhë të ndryshme si piktura, fotografia videoarti dhe instalacioni shprehin probleme sociale apo ndjesi të brendshme reflektimi. Pas prezantimit të punëve të tyre në Milano, punët e tyre do të prezantohen për një javë në galerinë Kalo në kryeqytet./abcnews.al