77 vjetori i Konferencës së Pezës, Presidenti e mazhoranca mesazhe për integrimin në BE

schedule13:00 - 16 Shtator, 2019

schedule 13:00 - 16 Shtator, 2019

Presidenti Ilir Meta i është bashkuar mazhorancës socialiste për përkujtuar 77 vjetorin e Konferencës së Pezës. Nuk munguan mesazhet drejtuar politikës ku u nënvizua se bashkimi i shqiptarëve me bindje të ndryshme politike  që karakterizoi Pezën në vitin 1942 të  merret si shembull sot që vendi aderon për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Të majtët i lënë mënjanë ndasitë në ditë të rëndësishme të kalendarit të luftës antifashiste nacional çlirimtare. Kështu ndodhi në përkujtimin e 77 vjetorit të Konferencës së Pezës ku u rreshtua edhe presidenti Ilir Meta në krah të mazhorancës socialiste.

Megjithatë nuk munguan mesazhet që i dërguan njëri tjetrit duke e sjellë Pezën si shembullin ku u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe përpunuan platformën e përbashkët të luftës kundra pushtuesit fashist për çlirimin e vendit. Sot bashkimi duhet për të integruar Shqipërinë në familjen evropiane u tha presidenti Meta.

“Ndaj është koha për të mos e vonuar këtë proces për shkak të antagonizmit politik të paprinciptë. Është koha për të forcuar bashkëpunimin, duke lënë sa më shumë mënjanë interesat e ngushta afatshkurtra, në mënyrë që e ardhmja europiane e Shqipërisë të jetë sa më e shpejtë, sa më e prekshme, sidomos për të rinjtë, dhe për fëmijët tanë”.

E përforcoi edhe pas ceremonisë qëndrimin e tij për bashkim.

“Kërkesa ime për të gjithë aktorët dhe forcat politike është t’i kërkojnë BE, pavarësisht nga problemet e deritanishme, t’i thotë një po çeljes së negociatave dhe nëse do të ketë kushte për çeljen e tyre, duhet të vendosin kusht për çdo institucion dhe cdo aktorë, përfshirë edhe presidentin e republikës në mënyrë që të gjithë të jenë të qartë se kush do të jetë një pengesë në të ardhmen për të vonuar këtë proces, këtë qëllim mbarëkombëtar që na fton për bashkëpunim se i tillë është mesazhi që vjen nga Peza”

Është dakort kryebashkiaku Erion Veliaj me fjalimin e presidenti Meta por duke i saktësuar një fakt që ashtu si dje ndodh edhe sot mes shqiptarëve.

“Të gjithë e dimë që pluralizmi ishte këtu në Pezë por kur u shkrepën armët vetëm partizanët vajtën për të luftuar, ndaj patjetër që duhet ta inkurajojmë pluralizmin por kudo edhe kur shkojmë në kuti të votimit edhe kur shkojmë dhe flasim me kancelarit e huaja edhe kur përfaqësojmë bindje të ndryshme, ama kurrë nuk do të shkrehim pushkë kundër Shqipërisë edhe pushka sot nuk është vetëm me plumb, pushka është edhe me çfarë flasim edhe me çfarë shkruajmë edhe me mënyrën se si ndonjëherë sikterisim vendin tonë. Ndaj dhe unë dua t’i bashkohem asaj thirrje “duhet pluralizëm por kudo” në çdo fushë edhe kur kemi këto betejat, nuk mundet pluralizëm në tavolinë dhe vetëm partizanët në luftë kurse të tjerët bëjnë komentin se si u luftua në luftë”.

Për numrin dy të qeverisë kujtesa është e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e mirë por edhe për ata që gabuan rëndë me vendimet e tyre.

“Mos i harroni tradhtarët as tradhtia nuk është e Kinostudios. Qeveritë i shpallën luftë Anglisë, Francës dhe në dhjetor edhe SHBA, është i vetmi akt i turpshëm që politikanë kohë pas kohe kanë ndërmend dhe marrin ti shpallin luftë perëndimin. Ishte populli që e korrigjoi vendimin e atyre qeverive, ishin shqiptarët që u bënë palë me koalicionin më të madh Antifashist. Ishin shqiptarët, bura dhe gra, djem dhe vajza që i dhanë këtij vendi lirinë dhe pavarësinë” 

Të gjithë ranë dakort në një pikë, se vendi ka nevojë për një mendim të pjekur të të gjithë forcave politike në vend siç ndodhi në vitin 1942 në Pezë ku pavarësisht bindjeve politike shqiptarët u bënë bashkë për të çlirimin e vendit dhe vendosjen e një regjimi demokratik në Shqipëri. /ABc news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!