73 vjetori i shkollës “Skënderbej”/Meta: Ish- skënderbegasit aktivë edhe sot

schedule13:50 - 28 Mars, 2018

schedule 13:50 - 28 Mars, 2018

Është përkujtuar 73 vjetori i krjimit të shkollës ushtarake Skënderbej. Ata që kanë dalë nga ato banka sot i gjejmë në drejtimin e Forcave të Armatosura dhe institucioneve të sigurisë kombëtare u shpreh Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Kjo është parada e parë ushtarake e pasluftës më 10 korrik 1945 ku Enver Hoxha vlerëson kuadratin e skënderbegasve.

Për herë parë shkolla Skënderbej  që në atë kohë quhej “ Shkolla e pionerëve të Luftës” i hap dyert e saj në 28 mars të vitit 1945. Nxënësit e parë ishin rreth 200 partizanë të vegjël midis të cilëve edhe 7 vajza.

Dy vjet më vonë do të merrte emrin që e njohin të gjithë: Shkolla e mesme ushtarake Skënderbej.

Me kohë numri i nxënësve filloi të rritej nga viti në vit duke arritur në 1500 – 2000 nxënës që mësonin dhe përgatiteshin për dije të përgjithshme arsimore dhe ushtarake.

Pas vitit 1960 u hapën edhe degë për edukimin në profesione të ndryshme si mjekësi, mekanikë, elektrike, ndërtim, ekonomike, muzikë dhe nxënësit e caktuar në këto degë e zhvillonin procesin mësimor në shkollat e mesme të profileve përkatëse në kryeqytet.

Gushti i vitit 1992 shënoi mbylljen e shkollës ushtarake që u bë me vendim qeverie.

Kanë kaluar 73 vjet nga dita  e hapjes dhe 33 mijë të të rinjtë që studiuan në këtë shkollë vlerësohen kryesisht nga politikanët e majtë dhe Presidentët e Republikës.

“Ata drejtojnë FA-të, institucionet e sigurisë kombëtare, janë aktiv në të gjitha fushat, ashtu sikurse edhe ata në rezervë janë duke dhënë kontributin e tyre kudo, në bazë të formimit patriotik që kanë marrë”

Kreu i shtetit vlerësoi kontributet e kësaj shkolle dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë kudo tha ai- jo vetëm në fushën e mbrojtjes, sigurisë, rendit publik, por edhe në mjekësi, ekonomi dhe sport. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!