70 % e ndërmarrjeve probleme me financimin nga Bankat, ekspertët japin zgjidhjen për ekonominë shqiptare

schedule16:49 - 1 Shkurt, 2020

schedule 16:49 - 1 Shkurt, 2020

70% e bizneseve sidomos ato të vogla e të mesme vuajnë për gjetjen e financimeve pasi bankat kanë kritere shumë të forta. Ekspertët shqiptar e të huaj e shohin zgjidhjen e këtij problem në ngritjen dhe zhvillimin e tregjeve të kapitaleve ose bursave.

Kjo mënyrë financimi është mjaft e njohur në vendet e Europës ndërsa Shqipëria është ende larg. Aktualisht në diskutim është kuadri ligjor por edhe kjo sipas ekspertëve ka mangësi që e frenojnë zhvillimin e tregut të kapitaleve.

Gavin Rayan një ekspert i njohur në tregun e kapitaleve thekson se Shqipëria mund të kthehet në një sukses për sa i përket tregut të kapitaleve.

“Tregu i Kapitaleve Private është një burim alternative financimi, i stabilizuar tashmë në të gjithë botën. Ky treg u ofron kompanive mundësinë e  gjetjes së burimeve financuese dhe rritjes së të ardhurave të tyre gjithashtu.

Personalisht, unë kam drejtuar disa vite më pare Fondin Lehtësues të Investimeve për Europën Juglindore. Dhe dua të them se Shqipëria ka një perspektive shumë të mire për të qenë e suksesshme në tregun e Kapitaleve Private.

Mund të marrim Armeninë si shembull të thjeshtë për Shqipërinë, pasi është një shtet po aq i vogël sa Shqipëria. Në Armeni një fond i suksesshëm prej 30 milionë eurosh u akordua dy vite më parë dhe ky ka qenë një sukses i madh për këtë vend”.

Tregu i kapitaleve në Shqipëri ndodhet ende në fazat e para dhe kjo lidhet me njohuritë e pakta  financiare të kompanive por edhe për shkak të informalitetit të lartë të ekonomisë shqiptare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!