11 mijë e 700 biznese të vogla që kanë hyrë për herë të parë në skemën e TVSH-së kanë dorëzuar pranë administratës tatimore librat e blerjes dhe të shitjes. Drejtoresha e Tatimeve tha se penalitete do të ketë vetëm për vonesat, ndërsa për plotësimin gabim të saj nuk do të vendosen gjoba.
Sot përfundon afati i dorëzimit të librave të blerjes dhe shitjet për bizneset e vogla me xhiro mbi 2 milion lekë në vit që kanë hyrë për herë të parë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Afati për dorëzimin e deklaratës së tvsh-së përfundon ditën e hënë më 16 korrik. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Vasilika Vjero, tha se deri tani janë 11 mijë e 700 biznese që kanë dorëzuar dokumentacionin, ndërsa 60% e tyre kanë plotësuar deklaratën e TVSH-së.
Për bizneset që nuk dorëzojnë në afat deklaratën masa e penalitetit do të jetë 5 mijë lekë të rinj, ndërsa për ata që i plotësojnë gabim nuk do të ketë gjoba, por do t’u lihet mundësia t’i korrigjojnë. Nga 6900 deklarata, vetëm 50 kanë patur gabime.
Deklarta e TVSH-së për biznesin e e vogël është më e thjeshtuar se për kategoritë e tjera, ndërsa Vjero deklaroi se të ardhurat e mbledhura nga taksa e TVSH-së për bizneset e vogla kanë pësuar një rritje modeste. /abcnews.al