“Fan Noli. Apostulli” është libri më i ri i botuar nga gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi. Ky i fundit ka sjellë 14 vitet e kësaj figure të shquar që nga ardhja në Amerikë deri te përpjekja për të ardhur në Shqipëri në 1920.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, pasi shpjegoi kopertinën, Ikonomi zbuloi se kishte plot 6 vite që meret me këtë libër dhe tregoi se si lindi ideja.
“Unë idenë e kam pasur dhe më përpara për të shkruar për të gjithë ata personalitete. Por me Nolin të them të drejtën nuk ma mbante, se më intimidonte, në kuptimin që nuk e bëj dot sepse është një figurë aq e madhe, aq komplekse, ka shumë anë Noli, nuk është vetëm njëra anë e Nolit. Ai nuk është marrë vetëm me kishën, apo vetëm me politikën. I ka të gjitha. Kjo është një anë.
E dyta, është shkruar aq shumë për Nolin sa unë mendoj që nuk ka mbetur ndonjë gjë pa u zbuluar. Atëherë, çfarë do t’i them unë lexuesve dhe çdo gjë ishte pak a shumë e zbuluar. Kjo ishte frika ime.
Dhe të dini diçka, që unë nuk ia tregojë shumë njerëzve, gjatë shkrimit të librit apo të mbledhjes së materialeve, shumë shpesh unë kam menduar që të heq dorë nga ky projekt dhe thosha nuk e bëj dot. Më dukej i madh, tani është pak më ndryshe. Jam afruar më shumë me këtë figurë, në kuptimin që di më shumë, di se ku do të eci ai me vëllimin e dytë dhe të tretë që dua të botoj”.
Më tej, Ikonomi ka hedhur poshtë supozimet e grekëve që kanë dashur ta quajnë si të vetin, duke theksuar se është marrë konkretisht me rrënjët e familjes së Nolit.
“Noli ka një skicë autobiografike që është goxha e gjatë, gati 100 e ca faqe. E ka botuar në vitin 1960 dhe këto janë kryesisht kujtime të tij. Edhe është i vetmi burim që ne kemi praktisht për fëmijërinë e tij. Është e pamundur të gjesh rrënjët e familjes së Nolit në qoftë se nuk lexon skicën e tij biografike. Si do t’i gjesh ato? Nuk ka burime për jetën e familjes së tij. Kjo është botuar dhe ribotuar disa herë, edhe unë mundova t’i kaloj anash kësaj, sepse kjo brenda mund të ketë subjektivizma, plus pastaj njerëzit e njohin, e dinë dhe nuk jam marrë shumë me fëmijërinë e Nolit. Sigurisht që i kam përmendur rrënjët e familjes, në mënyrë që lexuesi të ketë një ide se kush është ky njeri që po flitet”./abcnews.al