6 vite e veshur me hijab, 19-vjeçarja nuk lë pas pasionet e saj

schedule15:45 - 21 Korrik, 2019

schedule 15:45 - 21 Korrik, 2019

Ria është një vajzë nga Ndroqi i Tiranës. Ajo si pak moshatare të saj ka vendosur të jetë e mbuluar. Për ABC Neës tregon pasionin që ka për fotografinë dhe muzikën, por këto nuk e ndalojnë të jetë një besimtare dhe praktikante e devotshme e fesë myslimane.  E veshur me hijab që prej 6 vitesh, 19-vjeçarja tha se ndihet mirë me vendimet ka marrë.

Ndiq pasionin tënd dhe jo pensionin tënd, ka shkruar shkrimtari amerikan Denis Waitley. Këtë këshillë, Ria ja përsërit vetes çdo ditë, ndërsa tregon për ABC News që prioritetet e saj në jetë përpos shkollës, janë fotografia dhe muzika.

Pothuajse çdo ditë, ajo vjen në Tiranë dhe fshatrat rreth kryeqytetit  për të shkrepur aparatin e saj që nuk e ndan nga vetja. 19- vjeçarja, gjithmonë në krahë ka mikun e saj më të mirë, i cili është një fotograf që e mëson në mënyrë profesionale për pasionin e saj.

Prej tij ka edhe këto foto të bukura. Veç fotografisë, pëlqen shumë edhe muzikën veçanërisht atë turke. Ria dëshirë ka edhe të këndojë. Këtë e bën shpesh. Në profilin e saj në Instagram, gjen jo pak video duke kënduar.

E rëndësishme në jetën e Rias është edhe besimi fetar. Që në moshën 13- vjeçare ajo ka veshur hijab. Këtë vendim tregon se e mori vetë. Prindërit nuk e nxitën, por as e penguan. Futja në Medrese pati ndikim në këtë zgjedhje. Sot, 6 vite më pas, tregon mendimin e saj për fenë Islame.

“Feja është diçka që gjithsecili e zgjedh. Unë kam zgjedhur fenë islame dhe është mënyrë jetese ndoshta për mua dhe është diçka shumë e bukur. Ndihem shuë mirë që jam myslimane”.

Po njerëzit përreth Rias, si reagojnë për zgjedhjet që ka bërë?

“Njerëzit nuk është se habiten se shoqëria që unë kam zgjedhur janë njerëz që më vlerësojnë për këto që jam dhe u pëlqen mënyra si veproj. Të gjithë janë të kënaqur nga veprimet e mira ose gëzohen kur shikojnë që jam shumë ndryshe nga disa të tjerë”.

Pavarësisht gjykimit të të tjerëve, 19-vjeçarja ndihet e plotësuar me zgjedhjen për të qenë e mbuluar. prindërit tashme i ka në krah.  Tani për tani e rëndësishme për Rian është të mbarojë studimet universitare për gjuhë dhe letërsi angleze./ABC News Albania 24/7