6 persona kanë gjetur vdekjen dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën, pas një aksidenti masiv mes disa automjeteve, të ndodhur orët e para të mëngjesit të së dielës, në Birmingham të Anglisë.
Sipas britanikes “The Guardian”, në aksident u përfshinë 6 automjete, në mesin e tyre edhe një taksi. Ngjarja e rëndë ndodhi në një nënkalim në Lee Bank Middleway, rreth orës 01:10.
Të 6 personat që humbën jetën në vendin e ngjarjes, përfshijnë shoferin e taksisë dhe dy pasagjerët e tij, një burrë dhe një grua, sëbashkë me 3 burra të cilët përfunduan jashtë një makine në momentin e përplasjes.
Policia e West Midlands ka nisur hetimet, për atë që e përshkruajti si një ngjarje “shumë të vështirë dhe të trishtueshme”, ndërsa një zëdhënës i shërbimit të ambulancës e përshkroi skenën e aksidentit si shumë të rëndë.
Ai tha se fillimisht në aksident janë përfshirë 3 makina, ndërsa 3 të tjerat janë përplasur në përpjekje për t’u shmangur. Identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur./tvklan.al