6 nga të arrestuarit “Bajri” kërkojnë rishikimin e masës së sigurisë

schedule13:09 - 28 Shtator, 2018

schedule 13:09 - 28 Shtator, 2018

Gati një javë pas arrestimit, Safet Bajri dhe pesë të prangosur të tjerë si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Ata janë ankimuar në Apelin për Krimet e Rënda masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar për ta nga Shkalla e Parë. 

Gjashtë prej nëntë të arrestuarve në Shqipëri nga operacioni policor “Oaz”, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Pa kaluar një javë nga dita kur Shkalla e Parë e Krimeve la në fuqi masën “arrest në burg” për ta, të dyshuarit i janë drejtuar Apelit. Deri më tani, masat janë kundështuar nga Safet Bajri, i dyshuar si një ndër kryesorët e grupit, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Ismet Idrizi, Klaudio Hoxhalli dhe Denis Brajoviç.

Në ankimin e depozituar në gjykatë nga avokati Arbër Hoxha, të arrestuarit pretendojnë se vendimi i Shkallës së Parë është i padrejtë. Në përfundim ata kërkojnë ndryshimin e masës “arrest në burg” dhe caktimin e një mase sigurie më të lehtë, si ajo e “arrestit shtëpiak” apo e “detyrimit për paraqitje”.

I njëjti pretendim u paraqit prej tyre edhe në seancat gjyqësore në Shkallën e Parë për verifikimin e masës “arrest në burg” të caktuar në mungesë, por nuk u morën parasysh nga gjykata.

Operacioni “Oaz” u finalizua me 11 të arrestuar mbrëmjen e 21 shtatorit dhe u zhvillua njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam, Holandë. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, pas 6 muajsh hetimesh, dhjetra orë përgjimesh, veprimet hetimore proaktive në terren dhe shkëmbimit të informacionit me agjencitë partnere u siguruan prova të mjaftueshme që ngrinin dyshime se të arrestuarit ishin pjesë e një grupimi kriminal të angazhuar në trafik droge, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive. Të njëjtit procedim i janë bashkangjitru edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me një tentativë vrasje dhe dy vrasje të shënuara në këtë qytet në harkun kohor 1999-2001./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!