6 marsi, zbardhet marrëveshja e grupit të Berishës me LSI-në, “Shtëpia e Lirisë” “shkon” në KQZ

schedule11:08 - 1 Shkurt, 2022

schedule 11:08 - 1 Shkurt, 2022

Komisioni i Rithemelimit të PD-së, kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit me LSI-në të drejtuar nga Monika Kryemadhi, për të garuar nën një logo të quajtur “Shtëpia e Lirisë”, në zgjedhje e pjesshme lokale të 6 marsit.

“Ne po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë. Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë. Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e forte. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama. Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike dhe prandaj vendosëm që: 1. Të formojmë një Koalicion të gjerë opozitar, dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë, të datës 06 Mars 2022. 2. Emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” 3. Shkronjat nistore te Koalicionit do të jenë: “SH-L“, thuhet në marrëveshje.

Po sot, LSI ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Pjesë e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” është edhe PDK e Nard Ndokës.

Sot është bërë publike dhe logoja e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, ku vihet re ngjyra blu,e kuqe dhe ndërthurja me flamurin shqiptar. Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.  Lajmin për krijimin e  koalicionit e dha ditën e djeshme, ish-kryeministri Berisha teksa prezantoi 6 kandidatët të cilët dolën fitues nga primaret në 6 bashkitë ku do të ketë zgjedhje. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!