500 familje në Golem të Shkodrës pa ujë të pijshëm

schedule19:03 - 8 Tetor, 2018

schedule 19:03 - 8 Tetor, 2018

Puset në Golem të Shkodrës kanë shterruar për shkak të thatësirës dhe banorët kanë mbetur pa ujë të pijshëm. I vetmi pus që ka ujë po plotëson nevojat për momentin, por banorët kanë frikë se shumë shpejt edhe ai do të thahet.

I vetmi burim uji për 500 familjet e fshatit Golem në rrethinat e Shkodrës është ky pus. I hapur nga banori Fadil Hasa u shërben banorëve të zonës, të cilët kanë më shumë se një muaj pa ujë ë pijshëm.

Puset e tjera kanë shteruar nga thatësira. Kurse ujësjellës në Golem nuk ka patur asnjëherë. Banorët janë të shqetësuar dhe nuk dinë se si do zgjidhet problemi.

“Për të pirë se për të larë s’lahemi kurrë. Jemi të mbaruar për larje”, tha një banor.

“Këtu ka paraplegjikë, këtu ka pleq, ka fëmijë, ka njerëz në nevojë, ku e marrin ujin ata?”, u shpreh një tjetër.

Pronari i pusit ndjehet i gëzuar që mundet t’u japë ujë të tjerëve. Ai ka shpenzuar 2 milionë lekë të vjetra për hapjen e tij dhe vendosjen e pompave.

“Kam kënaqësi që i shërbej komunitetit tim se kam vuajtur vetë ujin. Desh Zoti doli uji të marri kush do”, shprehet pronari.

Këtu ka banorë më shumë se tre mijë vetë. Përkohësisht ata po ndihmohen nga i vetmi pus me ujë, por në një të ardhme të shpejtë, situata do të jetë e rëndë. Edhe ky burim mund të shterojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!