50% me tifozë dhe “lutja” për 2500 VIP-a, rrezikohet finalja në “Wembley”

schedule16:34 - 18 Qershor, 2021

schedule 16:34 - 18 Qershor, 2021

Stadiumi “Wembley” do të hapet në masën 50% për ndeshjet me eliminim direkt në Euro 2020. Mitiku anglez ka një kapacitet prej 90 mijë vendesh dhe në të mund të futen 45 mijë, vendim që është konfirmuar nga UEFA.

Ndërkohë, koronavirusi vijon të shkaktojë probleme në ishull dhe autoritetet britanike kërkojnë një karantinë prej 10 ditësh për personat që vijnë nga jashtë. Një situatë dhe rregull i tillë vë në dyshim zhvillimin e njërit takim gjysmëfinal dhe finales së madhe në kryeqytetin anglez.

The Times shkruan se UEFA e ka një plan B, që lidhet me Hungarinë. “Puskas Arena” i Budapestit është i vetmi nga 11 stadiumet e Euro 2020 që siguron mbushje të plotë të stadiumit, ndërkohë që nuk ka kufizime në lidhje me njerëzit që udhëtojnë në zonën Shengen.

Ekziston gjithmonë një plan emergjence, por ne kemi besim se java e fundit e Euro 2020 do të zhvillohet në Londër“, deklaron një zëdhënës i UEFA-s, me këta të fundit që po negociojnë me qeverinë angleze në lidhje me 2500 persona VIP që do të jenë të ftuarit për finalen e madhe.

UEFA kërkon që atyre (ish-futbollistë të njohur, menaxherë sportivë, media, sponsorë dhe autoritete politike) t’u hiqet kushti për të kryer karantinën 10-ditore. Qeveria Europiane e Futbollit sugjeron që VIP-at nuk do të qëndrojnë më shumë se 24 orë në Londër, teksa pritet përgjigja nga Anglia. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!