Një ngarkesë prej 45.5 kg kokainë është gjetur dhe sekuestruar nga policia e Durrësit në një kontejnerë me mish pule që vinte nga Brazili.
Abc mëson se lënda narkotike kishte ardhur për dy grupe kriminale. Lënda narkotike ishte e ndarë në 40 pako dhe siç shihet në secilën prej tyre ishte e vendosur nga një foto e filmave të animuar. Deri tani janë shoqëruar 2 persona në komisariat. Në pyetje po merret shoferi dhe një prej përfaqësuesve të kompanisë që kishte ardhur në Durrës për të shoqëruar kontejnerin.
Kontejneri kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut. Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës prej 45.5 kg kokainë. Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 Maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një kontejnerë me qymyr që vinte nga Ekuadori. Raportohet se janë veçuar edhe kontejnerë të tjerë për kontroll të ardhur nga vende që njihen për trafik kokaine.
/abcnews.al