4-fishohet gjoba për bizneset që nuk regjistrohen, drafti në kuvend

schedule15:48 - 4 Janar, 2022

schedule 15:48 - 4 Janar, 2022

Nga Erblina Mile

Qeveria parashikon të katërfishojë gjobat për ato bizneset që nuk regjistrohen në afatet e përcaktuara ose deklarojnë të dhëna të pasakta. Në  draft parashikohet që gjoba nga 15 mijë lekë të bëhet 60 mijë lekë. Ndryshimet në projektligjin “Për Regjistrimin e Biznesit” janë dorëzuar në Kuvend dhe pritet të kalojnë  për diskutim dhe miratim në komisione  dhe parlament, me nisjen e sesionit të ri për vitin 2022.

Ligji aktual në fuqi  që parashikon aplikimin e gjobave, në rast të mospërmbushjes brenda afateve ligjore të detyrimit ligjor për kryerjen e regjistrimeve përkatëse në regjistrin tregtar dhe mosdeklarimeve reale  janë konsideruar të ulëta.

Në relacionin e projektligjit argumentohet se niveli i gjobave në disa vende të rajonit është disa herë më  i lartë  se në vendin tonë dhe kjo e bën të detyrueshëm ndryshimin e ligjit aktual. Referuar të dhënave gjoba e aplikuar në shtetin e Malit të Zi  është 1000 Euro, Greqia 600 euro dhe Sllovenia 400 euro.

Ndërhyrja në projektligj sipas qeverisë është e nevojshme  për forcimin e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe   regjistrimeve te tjera në afatin e caktuar. Objektivat e këtij projektligji janë  forcimi i detyrimit për deklarimin e të dhënave te vërteta në Regjistër nga ana e subjekteve tregtare. Rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit nëpërmjet deklarimeve reale dhe regjistrimit ne kohë të bizneseve. Si dhe të  rritet më tej transparenca lidhur me deklarimet që bëjnë bizneset lidhur me të dhënat e tyre./ Abcnews.al