4 dekada mes argjendit dhe arit, argjendari në Vlorë tregon si ka bërë bizhuteri me simbolet kombëtare

schedule16:45 - 27 Nëntor, 2022

schedule 16:45 - 27 Nëntor, 2022

Të punosh me argjend dhe flori duhet imagjinatë por dhe durim. Prej 43 vitesh, Bexhet Rrapi e gjen çdo ditë në punishten e tij të vogël në lagjen “Albano dhe Romina” në qytetin e Vlorës. Tregon se ka arritur të krijojë medaljon me simbolet kombëtare.

“Për një kohë të gjatë kam qenë unë. Tani janë 4. Jam veterani i Vlorës që po punoj akoma. Është një pasion, sa më shumë ikin vitet aq më shumë lidhem me të. Kemi bërë shqiponjën në flori, nga një shqiptare e larguar. Kam bërë kryqin. Byzylyk me emrat e tyre”, tregon ai.

Përpos bizhuterive, ai i është përshtatur tregut duke riparuar dhe syze e ora.

“Pas përfundimit të sistemit, filluam të punojmë privatisht. Morëm një dyqan me qira. Tani e kam timin. Bëj riparime, argjendi, flori dhe syzet”, thotë argjendari.

63 vjecari tregon disa momente nga puna e tij para viteve ‘90.

“Më ndihmoi shkolla e axhutesisë. Aplikova dhe dola fitues. Bëheshin punime në flori dhe argjend. Atë kohë bëheshin punim të vështira, me derdhje, me stampime. Riparime të ndryshme. Bënim punime me materialet e klientit, se shteti nuk na lejonte të punonim privatisht.  Nëse bëheshin punime, dhe klienti shënohej me karat të lartë. Bëheshin menjëherë verifikime. Personi që kishte sjell porosinë verifikohej. Nuk kishte dyqan për tregti”, tregon Rrapi.

Ai thotë se të rinjtë nuk kanë interes ta mësojnë si profesion.

“Sot të rinjtë nuk kanë dëshirë ta marrin si profesion. Ia dhashë djalit, por edhe ai u largua. Nuk duan të ushtrojnë profesion. Duan të bëhen menjëherë të pasur”, thotë Rrapi.

Gjatë punës së tij shumë vjeçare, Rrapi tregon se ka patur raste që i është dashur të ndihmojë klientët të heqin nga gishti unazat.

“Kemi patur raste shumë të vështira që ndodhin nga heqja e unazës nga gishti. Është dashur ndërhyrja jone. Ka qenë një dite e vështirë. Që njërit i është hequr unaza me gurë freksibël dhe ujë. Unazat janë shumë të vështira për t’i hequr”, tregon ai.

Argjendari shprehet se me këtë zanat ka arritur të mbajë familjen dhe të shkollojë fëmijët. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!