Presidenti i Republikës dëshmoi për më shumë se dy orë në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. Ilir Meta tha se kishte pasur informacione se në 8 Qershor do të digjej Kuvendi gjatë protestës së opozitës, ndërsa shtoi se zgjedhjet për hir të demokracisë, i kishte shtyrë dhe Ramiz Alia. Marrja në pyetje nuk prodhoi debate dhe seanca ishte e qetë e me respekt reciprok.
Ilir Meta doli nga Presidenca bashkë me stafin e tij, për tu paraqitur në komisionin hetimor për shkarkimin e tij. I qeshur dhe i qetë, eci në këmbë, duke u shprehur i sigurt se do të qëndronte në detyrë deri ditën e fundit të mandatit.
“Unë nuk jam për të bërë spektakle politike, por jam për t’i garantuar të gjithë se deri me 24 Korrik 2022 Presidenca do të jetë një kështjellë e mbrojtjes së Kushtetutës”, tha Meta.
Në hyrje të Kuvendit, Gramoz Ruçi kishte marrë të gjitha masat e duhura ceremonialë për të pritur për herë të parë një President Republike të dëshmojë në një procedurë shkarkimi.
Qysh në fillim, ish-prokurori Ulsi Manja, i ulur në karrigen që mbante dikur Meta si kryetar Kuvendi, kërkoi vetëpërmbajtje nga kolegët e tij deputetë. Ilir Meta, edhe pse kishte përkrah këshilltarët kryesorë të tij, preferoi në çdo moment të mbrohej vetë… dhe armën e fortë me të cilën legjitimoi anulimin e datës 30 Qershor si ditë zgjedhjesh, e kishte siguruar nga shërbimet sekrete.
“Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do shfrytëzonin mitingun e opozitës në datën 8 Qershor, përveç akteve të tjera edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Meta.
Veç rendit e sigurisë, Presidenti rreshtoi si argument për shtyrjen e zgjedhjeve, krizën politike në vend.
“Nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës. E para kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar shtyrjen e datës dhe së dyti ishte kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur në një tryezë me Ramën si Kryeministër. Kur unë mora këtë vendim situata ishte e çmendur në kuptimin politik, të dy palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie”, u shpreh ai.
Për mbështetje, nga arkivi i tij, kishte nxjerrë një foto të vitit 1990, ku ai shfaqej bashkë me Ramiz Alinë në takimin e studentëve të dhjetorit. I vetmi që nuk i frenoi konsideratat personale për presidentin ishte Bashkim Fino. Në mbyllje të mbledhjes, përpara se të largohej nga Kuvendi, Ilir Meta pati një takim rreth 30 minuta me Gramoz Ruçin./ABC News Albania 24/7