Nga Roland Beqiraj
Banorët e fshatit Zvirinë të Maliqit u gëzuan për pak metra asfalt që u shtruan në 2018. U rehabilituan vetëm 500 metra të rrugës 3 km të gjatë. Punimet u ndërprenë për mungesë fondesh.
Siç duket dhe nga pamjet pjesa tjetër e rrugës që të çon në qendër të fshatit është e amortizuar, me gropa të mëdha.
“Kanë dy vjet që thonë do bëhet, me baltë është me gropa”.
“Fëmijët bëhen tërë baltë ndërrohen dhe ikin prapë. U bë njëherë në 1997 cilësi e dobët dhe ja si ka përfunduar. Deri këtu pati forcë Kryetari i Bashkisë dhe e bëri”.
Drejtuesit e mjeteve për të mos dëmtuar makinat kryejnë manovra të rrezikshme. Teksa përpiqen të shmangin gropat, mund të aksidentohen apo të bien në kanal.
Degradimi i rrugës po penalizon banorët e Zvirinës edhe për shitjen e prodhimeve bujqësore. Malli po ju mbetet stok.
Grumbulluesit nuk kanë leverdi të mbledhin produktet në këtë fshat pasi ju dëmtohen makinat.
“Duhet të ishte bërë më përpara. S’vijnë tregtarët se thonë nga shkatërrohen makinat”.
“Po na e bënë do na bëjnë nder, s’po na shitet malli. Kemi gjetur belanë mollën me 100 lekë po e japim dhe tallen ata, në pazar shitet 1.000 lekë”.
Tregtarët nga Berati thonë se kjo mund të jetë rruga e fundit që bëjnë.
“Me këtë rrugë gropa-gropa duam 1 orë, sa të dalim që këtu, kemi arritur në Qafë Thanë”.
“Detyrohemi të shkojmë në Devoll, që këtu mos futemi. Të shtoj km që këtu mos hyj dhe të harxhoj 20 mijë lekë naftë këtu u shkatërruam. Mund të jetë dhe rruga e fundit sot. Fshatarët e kanë mallin stok vetëm prej rrugës”.
Në një intervistë për ABC kreu i Bashkisë së Maliqit. Gëzim Topçiu sqaron se pjesa e mbetur do të financohet nga Fondi Shqiptar I Zhvillimit, pasi Zvirina është pjesë e 100 fshatrave turistikë.
“Bashkia ka realizuar dy faza për rehabilitimin e rrugë së Zvirinës, kemi financuar rreth 20 milionë lekë të reja për rehabilitimin. Kemi kërkuar që pjesa tjetër të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me sa dimë është në fazë prokurimi. Nga pjesa e ngelur shkon rreth 80 milionë lekë të reja”, shprehet ai.
Duke ju kërkuar ndjesë banorëve për pritjen e gjatë Topçiu bën të ditur se punimet priten të nisin në fund të muajit mars. /abcnews.al