Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026, ku theksoi nevojën për të ndërtuar politikat mbështetëse mbi një pasqyrë sa më reale të kërkesave dhe nevojave në terren.
Gjatë ciklit të dëgjesave në qarqe të ndryshme të vendit, Rama vuri theksin te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit në bujqësi, duke nënvizuar se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit, përgatitjes dhe aftësisë për t’i përthithur ato.
Ai bëri me dije se janë në dispozicion 250 milionë euro kredi me garanci shtetërore dhe interesa të ulëta, si dhe fonde në rritje nga Bashkimi Europian, por kërkoi angazhim më të madh nga bashkitë dhe bashkëpunim më të ngushtë me fermerët për hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të financueshme.
“Më vjen shumë mirë që shikojmë njëri-tjetrin këtu në këtë zonë pas një periudhe që nga zgjedhjet. Më vjen shumë mirë që jam këtu përsëri si pjesë e këtij cikli dëgjesash për të kolauduar të gjithë planin e mbështetjes për këtë vit. Dua të fokusohem në një aspekt që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që i referohemi buxhetit të shtetit, por ai është vetëm një nga komponentët e zinxhirit të financimit të bujqësisë. Komponentët e tjerë janë pak më të vështirë, por janë komponentët që do të bëhen gjithnjë dhe më të pranishme. Duhen të gjithë të përpiqen të mësohen dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.
Mund të them me plot gojë, që puna e financimit të ideve që secili ka nuk është më problem. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe përthithjes për t’i thithur ato para. Ne do të kemi më shumë fonde nga BE, por që lidhen drejtpërdrejt me atë se sa të aftë jemi ne që t’i thithim këto fonde. Për këtë duhen disa gjëra që lidhen me një dosje, e cila duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet pse ky projekt duhet financuar. Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro. Ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe norma e interesit është shumë e ulët.
Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak. Sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, duhet një dosje dhe një projekt. Në këtë aspekt ka një mangësi që ne nuk po e adresojmë dot siç duhet, dhe ka të bëjë me pushtetin vendor. Bashkitë duhet të jenë më shumë aktivë me fermerët dhe bujqit. Nuk duhet të ketë asnjë problem për financimin. Bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle dhe struktura të përbashkëta për t’i marrë këto financime. Janë aty financimet presin”, tha kryeministri Rama./abcnews.al


