Merkato sjell shpesh lajme interesante dhe ky i fundit mund të jetë një ndër më të bujshmit. Gjithçka lidhe me të ardhmen e Kylian Mbappe, i cili është në shënjestrën e klubeve më të mëdha europiane. Drejtori sportiv i PSG foli dy ditë më parë për të dhe theksoi nuk duhet bërë shumë zhurmë rreth tij dhe të vazhdohet me refrenin që ëndrra e Mbappe është që të luajë me Real Madrid.
Ai kujtoi se sulmuesi 20-vjeçar ka edhe 2.5 vite kontratë, por fjalët e tij nuk i ndalin mediat. Eldesmarque shkruan se tashmë në garë për shërbimet e 20-vjeçarit është futur Liverpool. Kështu, Reali duhet të trembet. “The Reds” nuk shpenzuan në merkaton e fundit dhe thuhet se ata mund t’i paguajnë qetë-qetë 250 milionë euro dhe ta transferojnë Mbappe.
Francezi do të ishte në një ekip konkurrues, që lufton për trofe, garon në kampionatin më të fortë dhe do të bëhej lojtari më i paguar në planet. 40 milionë euro neto në vit do të përfitonte Mbappe, sikurse thuhet në lajmin e publikuar nga spanjollët. Oferta është e çmendur dhe shikohet si e pakonkurrueshme.
Nga ana tjetër Liverpool duhet të shesë një prej treshes së sulmit dhe këtu mund të buzëqeshë Reali, pasi mendohet që Mohamed Salah do të ishte ai që rrezikon më shumë për t’u larguar dhe spanjollët mund të tentojnë blerjen e tij. Nëse ky skenar do të realizohej, do të kishim të bënim me operacionin më të madh të merkatos. /abcnews.al