Lionel Messi mund të kishte veshur fanellën e Chelsea. Transferimi ishte shumë pranë konkretizimit verën e vitit 2014 dhe londinezët u munduan të shfrytëzojnë problemet që sulmuesi argjentinas kishte në Spanjë për shkak të akuzave për evazion fiskal.
Edhe vetë ylli i Barcelonës e ka pranuar se e ka menduar largimin për shkak të atyre probleme, ndërkohë që tani Gianluca di Marzio ka zbuluar edhe detaje të tjera në librin e tij ku janë zbuluar shumë lëvizje që në fund kanë dështuar.
Eksperti i merkatos zbulon se Messi ishte bindur të transferohej te Chelsea pas një bisede që kishte bërë me trajnerin Jose Mourinho, përmes FaceTime. Atëherë sulmuesi mund të largohej nga Barcelona për vetëm 250 milion euro.
Londinezët ishin gati ta paguanin atë klauzolë, ndërkohë që për vetë Messin ishte gati një kontratë nga e cila do të përfitonte 50 milion euro në sezon. Gjithsesi ndërhyrja e Jorge Messit, babai dhe menaxher i sulmuesit, si dhe ajo e portugezit Deco, e rrëzuan marrëveshjen dhe sulmuesi qëndroi te Barcelona.
Një vit më parë, në vitin 2013, edhe presidenti i Real Madrid, Florentino Perez kishte tentuar transferimin e argjentinasit. Sigurisht ai e kishte refuzuar ofertën për shkak se ishte pjesë e Barcelonës dhe një lëvizje e tillë do i tërbonte fansat e katalanasve. /abcnews.al

