Nga Erneta Shevroja
E shtuna e 12 marsit do të jetë një ditë që do të përcaktojë rrugën që do të ndjek lidershipi i Partisë Demokratike.
Mbledhja e grupit parlamentar do të përballë deputetët që kërkojnë në masë largimin nga drejtimi i partis, me Lulzim Bashën, kryetarin në detyrë të PD.
24 orë përpara se të jenë përballë në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar, Basha dhe bashkëpunëtorët e tij si dhe grupi i deputetëve që kërkojnë largimin e tij po ndërmarrin hapat e nevojshëm në funksion të realizimit të qëllimeve të tyre.
Të premten, Lulzim Basha është takuar në selinë e PD me sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi si dhe nënkryetarin e PD, Enkelejd Alibeaj, të dy mbështetës të tij.
ABC ka mësuar se Lulzim Basha nuk ka ndërmend të deklarojë largimin nga drejtimi i partisë, pa hyrë më parë në një proces analize procesi i 6 marsit, nga i cili demokratët dolën të tretët.
Por edhe deputetët që kërkojnë largimin e tij nuk kanë qëndruar në heshtje. Këto dy ditë deputetët e PD po zhvillojnë takime të vazhdueshme mes tyre për të rakorduar qëndrimin që do të mbajnë në mbledhjen e grupit.
Disa prej këtyre deputetëve konfirmuan për ABC se në mbledhjen e grupit parlamentar nuk do të pranojnë opsionin e shtyrjes në kohë të vendimit për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, duke paralajmëruar se kanë gati edhe hapa të tjerë nëse kreu i PD do të refuzoj të largohet./abcnews.al