23 persona kanë humbur jetën në Norvegji pasi janë vaksinuar me Pfizer

schedule13:49 - 16 Janar, 2021

schedule 13:49 - 16 Janar, 2021

23 persona kanë humbur jetën në Norvegji pak ditë pasi kanë marrë vaksinën e Pfizer / BioNtech kundër koronavirusit, sipas të dhënave zyrtare.

Sipas Agjencisë Norvegjeze të Barnave 13 prej këtyre vdekjeve, të gjithë pacientë në një azil për të moshuarit, kanë lidhje me efektet anësore të vaksinës, si temperatura apo të përzierat. Të 13 viktimat ishin të gjithë mbi 80 vjeç.

“Testet e zhvilluara nga Pfizer/BioNTech nuk përfshinin pacientë me sëmundje bashkëshoqëruese dhe pak pacientë mbi 85 vjeç.

Në Norvegji po vaksinohen të parët të moshuarit dhe njerëzit që qëndrojnë nëpër azile me sëmundje bashkëshoqëruese, prandaj pritet që të ketë edhe viktima në një kohë të afërt me vaksinimin. Në Norvegji, humbin jetën mesatarisht 400 persona në javë”, thuhet në një njoftim të Agjencisë Norvegjeze të Barnave.

“Të gjitha viktimat që ndodhin pak ditë pas vaksinimit ekzaminohen me kujdes. Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që reaksionet që vijnë si pasojë e vaksinimit të kenë kontribuar në humbjen e jetëve të pacientëve me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Agjencia Norvegjeze e Barnave dhe Instituti i Shëndetit Publik po ekzaminojnë bashkë të gjitha raportimet e reaksioneve të forta ndaj vaksinës. Si pasojë, Instituti i Shëndetit publik ka përditësuar udhëzimet e vaksinimit ndaj Covid-19, duke shtuar këshilla më të detajuara mbi vaksinimin e të moshuarve që janë të brishtë”.

Deri tani, sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 30 mijë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës (Pfizer ose Moderna). Megjithatë, Steinar Madsen, drejtor mjekësor i Agjencisë së Barnave tha për televizionin norvegjez NRK se nuk ishte i alarmuar.

“Është e qartë që vaksinat kanë shumë pak rrezik, me përjashtime fare të vogla te pacientët më të brishtë. Tani, mjekët duhet të vlerësojnë me kujdes se kush duhet të vaksinohet”.

Norvegjia deri më tani ka raportuar 57,279 raste dhe 511 viktima./abcnews.al