Kryeministri Edi Rama, në konferencën që po mban, u pyet edhe për qëndrimin ndaj Lulzim Bashës, i cili mbante postin e ministrit të Brendshëm kur ndodhën vrasjet e 21 Janarit. Rama tha se edhe Basha ka qenë pjesë e zinxhirit komandues por nuk është as gjykatës dhe as prokuror për të gjykuar për të.
“Sa i përket 21 janarit, e përsëris pa u gjykuar 21 janari dhe dënuar fajtorët e vërtetë, drejtësia në Shqipëri do të jetë e gjymtuar moralisht dhe pa fuqinë që duhet të ketë një sistem i drejtë drejtësie. Pastaj, nën pyetjen lidhur me Bashën nuk e kuptova. Ka qenë ministër i Brendshëm, është pjesë e zinxhirit komandues por unë nuk bëj as prokurorin dhe as gjykatësin, thjesht them atë që kemi thënë që ditën e parë, prej tanimë në mos gabohem prej 12 vitesh, që 21 Janari është krim shtetëror.
Dhe vendimi i gjykatës së Strasburgut është I qartë dhe është vendosur e zeza mbi të bardhë nga dora e gjykatësve me reputacion në BE fiks gjërat që me fjalë të tjera I kemi thënë dhe stër përsëritur. Aty ka një zinxhir krimesh, jo vetëm vrasja. Dhe janë të përcaktuara në vendimin e gjykatës së Strasburgut, kështu që nëse drejtësia e re nuk merr përsipër 21 janarin, të tjerat do të jenë si kafet e Nexhmie Hoxhën.”, tha Rama./abcnews.al