20-vjetori i vrasjes, ceremoni përkujtimore për Azem Hajdarin

schedule16:27 - 12 Shtator, 2018

schedule 16:27 - 12 Shtator, 2018

20 vjet më parë  një breshëri plumbashi morën jetën Dëshmorit të Kombit, Azem Hajdarit. Dy dekada më vonë, kjo ditë nuk shërbeu vetëm si një moment përkujtimi, por edhe të një bilanci historik e politik të vendit dhe së djathtës.  

Në këtë ditë nuk ka rëndësi kë parti përfaqësojnë, vijnë si ish-studentë të lëvizjes së Dhjetorit për të përkujtuar mikun e tyre që ngriti zërin në emër të tyre për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ky është Azem Hajdari.

Kanë kaluar 20 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kujtimet mbizotëruan në rrëfimet ish-studentëve të Dhjetorit të vitit 1990. Por edhe mesazhesh se ai nuk ishte një lider i rastësishëm.

“Në 30 vjet një propagandë e fëlliqur me rrënjë komuniste është përpjekur gjithmonë që  të krijojë idenë që Azemi ishte një njeri i guximshëm, pati disa arritje, por ishte i rastit. Jo, mund t’jua siguroj se e kam parë nga afër. Azemi ishte një gjeni i politikës”, tha Imami.

“Kishte një kimi me të gjithë, saqë të gjithë e mbajmë mend shprehjen: Sa njerëz i mblidheshin kur i shpohej goma e makinës, politikanëve të tjerë nuk i mblidheshin edhe me organizime”, tha Meta.

“Dëgjova dikë që mori mikrofonin e sekretarit të parë edhe tha: zoti Bashkurti ka ikur koha që rininë ta drejtojë një çoban. U tmerrova. Në shqipërinë komuniste kjo ishte blasfemi e tmerrshme. Kjo frazë ka qenë ndoshta ajo që më ka ndikuar më shumë nga Dhjetori i 90-s”, tha Blendi Fevziu.

E duke mbetur tek kujtimet e viteve ‘90, ish-kryeministri Sali Berisha tregon se guximi dhe sinqeriteti i dëshirës së Azem Hajdarit për të rrëzuar sistemin e bën atë edhe lider në më pak se një orë.

“Kishte dy fëmijë, por si u bë lider. Duke vurë peng fëmijët e tyij. Duke i thënë grupit të studentëve se kur t’ju tradhtoj ju, kam Rudinën dhe Kirin”, theksoi Berisha.

Shteti e vrau tha ish-kreu demokrat, por vetëm fizikisht.

Kjo ditë është edhe kohë për të reflektuar sipas një tjëtër  demokrati të ditëve të para. Besnik Mustafaj i tregon nëpërmjet një letre Azem Hajdarit se kohët kanë ndryshuar nga dita që ai nuk jeton më.

Mesazhet e kurajos dhe dëshirës për liri që karakterizonin Azem Hajdarin i ka lexuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai kërkon që t’i rikthejë si e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë ashtu siç e kërkuan shqiptarët në vitin 1990.

Azem Hajdari u vra më 12 Shtator të vitit 1998. Ai u qëllua, ndërsa po dilte nga selia e Partisë Demokratike në Tiranë. Bashkë me të, mbeti i vrarë edhe një truprojë e tij. Për vrasjen e ish-liderit të Dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia./abcnews.al