2 të dënuar për blerje votash në Dibër, PD: Peshqit e mëdhenj në det të hapur

schedule18:04 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 18:04 - 1 Dhjetor, 2021

Dënimi me nga 1 vit burg  i Denis Xholit dhe Albjon Çekut, të arrestuar nën akuzën e blerjes së votave në Dibër për zgjedhjet e 25 prillit, për PD nuk zgjidh e as nuk garanton rikthimin e normalitetit demokratik ne vend.

Xholi dhe Çeku sipas deputetit të PD Kreshnik Çollaku janë ushtarë të vegjël, kurse peshqit e mëdhenj siç shkruan ai nuk janë hetuar e as janë kapur por janë në det të hapur.

Dënimi me burg i dy prej ushtareve te vegjël te një prej masakrave zgjedhore te  blerjes se votave, sigurisht as nuk zgjidh e as nuk garanton rikthimin e normalitetit demokratik ne vend. Dënimi nuk është garanci e vullnetit politik te maxhorancës e as organeve te drejtësisë për ta ndëshkuar këtë kancer social te vjedhjes se votave e vullnetit te qytetareve. Dënimi i dy prej aktoreve minor te kësaj historie te ndyre e primitive për Shqipërinë e 2021 është nga ana tjetër një shenje po aq minore se pas presionit publik te betejës opozitare dhe reagimit qytetar dhe atij ndërkombëtar kundër këtij fenomeni diçka po lëviz. Sot edhe pse nuk kemi sigurinë nëse është e sinqerte apo propagandistike ,një lëvizje e tille duhet përshëndetur dhe inkurajuar, duke mos harruar se peshqit e mëdhenj dhe peshkaqenët e blerjes se votave, grabitjes se pushtetit te votuesve dhe legjitimitetit popullor ne qeverisje janë ende ne det te hapur e te pa prekur“, shkruan Çollaku.

Më herët lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe deputetja Dhurata Çupi, e cila shkroi se sipas saj u konfirmua masakra zgjedhore, por shtoi se drejtësia është e paplotë pa dënimin e organizatorëve.

Se e ka vjedhur Rilindja pushtetin, jo vetëm e kam denoncuar gjate fushatës por edhe pas shpalljes së rezultatit. Ditën për diell, rilindasit të angazhuar me çdo formë për të mbajtur pushtetin, blenë vota, blenë vullnetin e lirë, ushtruan presion me heqjen e ndihmës ekonomike apo edhe duke ofruar vende pune të përkohshme. Kjo që ka ndodhur në Dibër është vetëm maja e ajsbergut. Gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart dhe me zbatim deri në çdo qelizë ku mund të merrej vota në çdo formë. Kjo është masakra zgjedhore për të cilën PD kërkon hetim dhe drejtësi të plotë. Për këtë arsye drejtësia duhet të veprojë që nga organizatorët e kësaj masakre dhe për çdo person të përfshirë në këtë aferë të vjedhjes së vullnetit të shqiptarëve.
Drejtësia është e paplotë me dënimin e 2 personave por duhet të shkojë tek i gjithë zinxhiri i vjedhjes së votave të shqiptarëve“, shkruan deputetja.

Lexo edhe: Korrupsioni në zgjedhje, burg për Denis Xholi dhe Albjon Çeku, u kapën me lekë dhe fleta votimi

Kur Denis Xholit dhe Albjon Çeku u arrestuan, policia tha se “në automjetin me të cilin udhëtonin, iu sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”. be.k/abcnews.al