Në këtë dhomë janë vrarë 51 shqiptarë të Kosovës, nga të cilët 23 fëmijë. Fadil Muçolli rrëfen se si serbët i masakruan 14 anëtarë të familjes. “Këtu kanë qenë 51 brenda, prej tyre kanë qenë fëmijë 23, prej foshnjës 6 muajshe deri te vajza ime që ka qenë 13 vjeçare. Në këtë masakër është masakruar familja Muçolli, familja Elshani, familja Ceraku, familja Hoxha. Në këtë masakër unë i kam 14 anëtarë të familjes së ngushtë, 2 prindërit, 4 motra, bashkëshorten me 4 fëmijë, dhe bashkëshortja e vëllait me 2 fëmijë“ tha Fadil Muçolli.
Në 15 janar u kujtua masakra e Reçakut. Esat Shala, një i ri nga Kosova i cili vijon mbledhjen e dëshmive, kasetave dhe provave të tjera për të dokumentuar për herë të dytë përpara ndërkombëtarëve krimet makabre të serbëve flet për emisionin “Ballkan” në “ABC”.
“Unë së bashku me Nysret Pllanën, profesorin, i cili më ka mbështetur shumë, kemi afër 1800-2000 kaseta të ndryshme, të formateve të ndryshme, ka të mëdha, ka të vogla, edhe CD. Unë kam filluar (ti mbledh) para 10 vjetësh, ndërsa Nysret Pllana ka qenë edhe ushtar i UCK-së, edhe ka transmetuar lajmet gjatë luftës, edhe ai ka filluar para viteve ‘90-të, dhe bashkë me të, sot bashkëpunojmë, dhe mbledhim incizime. Kur dëgjojmë që ka dikund ndonjë incizim, shkojmë dhe e marrim. Ku është bërë luftë në Kosovë, ne i kemi të incizuara, cdo fshat, cdo qytet, ne të gjitha i kemi, për cdo masakër që është bërë në Kosovë, i kemi” tha Esat Shala.
I riu vijon më tej duke thënë se krimet duhen dëshmuar, nuk duhet të qëndrojmë në heshtje. “Është dashur që pas përfundimit të luftës të dëshmoheshin këto krime, jo ti mbanin, që 21-22 vjet pas luftës, këto masakra të mbesin në heshtje dhe të mos i dokumentonin. Për t’ia mbyllur gojën Serbisë, për t’i treguar shih cfarë ke bërë…pasi që shteti i Kosovës ka fjetur 22 vjet pas përfundimit të luftës, mua më ka shtyrë, se unë jam rritur me ushtarë të UCK-së, dhe kemi pritur që shteti të bëjë dicka dhe nuk ka bërë asgjë, dhe dikush është dashur të dalë në skenë, si unë dhe profesori Nysret Pllana për tu marrë me krimet e luftës”tha ai.
Motra e Esat Shalës ka qenë ushtare e UCK-së bashkë me të fejuarin e vet dhe janë vrarë të dy nga forcat serbe në luftime. Naza Shala, nëna e Esat Shalës shprehet se “E di për cfarë më ka shkuar çika, dhe mburrem, se ka shkuar me pushkë në dorë. Po i mbysin tani dhe nuk po dihet për cfarë, ndërsa ajo me pushkë për të luftuar për të çliruar vendin e vet, atdheun e vet, për atë se, tani vritet njeriu, e mbysin sot, e mbysin nesër dhe nuk e di për cfarë. Kështu ajo ka luftuar për vendin e vet” tha ajo. / db/Abcnews.al