161 vite nga dollari i parë, në 1862 u prezantua “letra e gjelbër”

schedule12:46 - 10 Mars, 2023

schedule 12:46 - 10 Mars, 2023

Si sot para 161 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxorën në qarkullim kartëmonedhën e parë, dollarin. Ishte 10 marsi i vitit 1862, kur autoritetet prezantuan “letrën e gjelbër” siç u quajt në fillim për shkak të ngjyrës.

Deri atëherë, njësia monetare amerikane ishte tradicionalisht vetëm në formën e monedhave prej ari dhe argjendi, vlera e të cilave varej nga pesha e tyre.

Kongresi votoi të vinte në qarkullim kartëmonedhën për të mbuluar koston e madhe të luftës civile. Kartëmonedhat që u nxorën në qarkullim në atë kohë ishin të vlerave 5, 10 dhe 20 dollarë.

Asokohe, qeveria deklaroi se paratë prej letre mund të përdoreshin për të shlyer të gjitha borxhet, shtetërore dhe private.Emri zyrtar i parasë prej letre ishte kartëmonedhe e ligjshme.

Para se të merrej ky vendim Kongresi kishte pasur një debat mjaft të nxehtë, pasi vendi po përballej me një krizë financiare për shkak të mungesave të arit dhe argjendit.

Aty u vendos që kartëmonedhat të përdoreshin si njësi për pagesa të të gjitha llojeve, përveç për borxhin publik dhe për importim. Ky akt që erdhi si një masë emergjente, rriti në mënyrë të madhe fuqinë federale dhe ndryshoi përgjithmonë standardin amerikan të parasë.

Për shkak të udhëheqjes ekonomike botërore të SHBA-së, monedha e saj arriti një titull të tillë si “Valuta e Rezervës Botërore”.

Me pak fjalë, qytetarët mund të kryejnë pagesa  me dollarë  në çdo vend të botës.

/abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!