Vdekja e mistershme e 16 vjeçares shqiptare në Greqi, familja nuk i beson “vetëvrasjes”

schedule13:45 - 18 Korrik, 2020

schedule 13:45 - 18 Korrik, 2020

Ndërsa provat pas ekzaminimit mjeko – ligjor forcojnë skenarin e vetëvrasjes në rastin e vdekjes së 16-vjeçares Maria, grupi hetimor i cili po merret me këtë çështje, pas insistimit dhe bindjeve të familjes se ky është  një krim, nuk do ta mbyllë çështjen dhe do të vazhdojë punën për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Sipas avokatit të familjes Z. Dimitris Samartzis, familja është në pritje të zbulimit të telefonatës së fundit të Marias, gjithashtu edhe të ekzaminimeve toksikologjike duke shteruar të gjitha përpjekjet e mundshme, në mënyrë që çështja të mos mbyllet derisa të sqarohet hija e misterit që zbeh çështjen.

LEXO edhe: Kush e mori ne telefon Marian? Dyshimet e policisë për vdekjen e 16-vjeçares

Prindërit dhe vëllezërit e Marias janë shprehur pas funeralit të 16-vjeçares, se ata nuk e dinin që Maria kishte një lidhje me policin 26-vjeçar, dhe se atë natë vajza e tyre kishte bërë një takim me të.

“Motra ime u vra, ajo nuk bëri vetëvrasje. A është e mundur që një oficer policie të shkojë natën me një vajzë të mitur pa e ditur prindërit e saj? Unë, ashtu si prindërit e mi, nuk dija asgjë për marrëdhëniet e Marias me këtë burrë. Unë e doja shumë Marian dhe kujdesesha për të si edhe për Kristinën, binjaken tjetër”, thotë vëllai i saj.

Ndërkohë që nëna ka shpërthyer në lot duke thënë se ajo që ndodhi ishte një krim, e se vajza e saj u vra.

“Unë dua që e gjithë e vërteta për vdekjen e Marias tonë të dalë në dritë. Nuk e dija që fëmija im ishte larguar natën, fshehurazi nga shtëpia për të takuar një oficer policie me të cilin kishte një lidhje, nga ato që mësova më vonë.

Si nënë vazhdoja t’u thosha vajzave të mia binjake se duhet të kujdeseni për miqtë tuaj dhe të kujdeseni për njëri-tjetrin. Nuk e dija që Maria doli ne 02:00 të mëngjesit. Kristina më tha gjithçka.

Vajza ime ishte një vajzë e lumtur me dëshirë për jetën dhe nuk besoj se ka vrarë veten. Shtëpia jonë ka tre kate, ajo mund të hidhej edhe nga çatia e shtëpisë sonë për të bërë vetëvrasje dhe të mos ikte në atë zonë. Vajzën time e vranë”,  thotë ajo.

Siç raportojnë mediat greke, Maria 16-vjeçare kishte komunikuar me oficerin e policisë 26-vjeçar përmes instagramit.

Ata kishin lënë një takim për të martën e kaluar.

Polici shërben në Athinë, por është me origjinë nga Trikala.

Maria, sipas prindërve të saj atë natë doli nga shtëpia vonë natën, për ta takuar.

Në fakt, takimi i tyre zgjati disa minuta dhe Maria, e shoqëruar nga oficeri i policisë, u kthye në shtëpinë e saj, por ata u ndanë pak para se ajo të arrinte në banesë, pak më larg shtëpisë , në mënyrë që lagja të mos e kuptonte që e mitura ishte në një lidhje.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, 26-vjeçari ka një alibi të fortë pasi kamerat e sigurisë kanë fiksuar në lagjen e Marias 16-vjeçare se në orën 3:15 të mëngjesit ai e lë në shtëpinë e saj dhe largohet.

Por kamera zbulon një fakt tjetër serioz.

Me sa duket, kur polici u largua, 16-vjeçarja ka marrë një telefonatë ku  ajo i përgjigjet përpara se të hyjë në shtëpinë e saj.

Pas telefonatës ajo kthehet dhe largohet në një drejtim që ende nuk dihet dhe se cili është personi që e ka telefonuar.

Që pas kësaj telefonate vajza nuk është kthyer në shtëpi për tu gjetur e vdekur në orët e para të mëngjesit tre ditë më parë./abcnews.al