Kur kanë kaluar 15 nga rënia e diktatorit Saddam Hussein, Iraku vijon të jetë në kaos, i kapluar nga urrejtja ndëretnike dhe dhuna. Ndërkohë, objektivi i dikurshëm i administratës amerikane për ta bërë botën më të sigurt ka mbetur vetëm një iluzion.
Më 9 Prill 2003 u rrëzua statuja e diktatorit. Një marins i lidhi në kokë flamurin amerikan dhe më pas një tank e tërhoqi derisa e rrëzoi. Njerëzit vërshuan dhe u hodhën e vallëzuan mbi të. Gjithçka ndodhi në sheshin Al Ferdus të Bagdadit, pas një ofensive që zgjati 21 ditë.
Por ajo që ndodhi më vonë tejkaloi çdo parashikim. Banorët e qytetit filluan plaçkitjen dhe u vunë flakën institucioneve, ministrive, spitaleve dhe muzeut kombëtar. Përpara gjithë këtij kaosi, marinsat amerikanë e gjetën veten të papërgatitur për të reaguar.
Ishte sinjali i gjithë asaj që do të pasonte për 15 vjet me radhë, deri më sot, kur vendi mbetet i përçarë nga urrejtja fetare dhe etnike, pa harruar aktet e dhunës që kanë shkaktuar disa qindra mijëra të vdekur dhe triumfin e islamit radikal.
Armët e shkatërrimit në masë, përmes të cilave Presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush motivoi ndërhyrjen në Irak nuk u gjetën kurrë dhe objektivi për ta bërë botën më të sigurtë pas sulmeve të 11 Shtatorit rezultoi vetëm një iluzion tragjik. Sadami ra, por rënia e tij favorizoi përçarjet në Irak.
Pavarësisht fitores së shpallur në dhjetor nga qeveria vendase ndaj Shtetit Islamik, civilët në vend vazhdojnë të vriten në atentate me eksploziv dhe përplasje të armatosura. Misioni i OKB-së që vepron në Irak ka deklaruar se vetëm në mars 104 vetë u vranë dhe 177 të tjerë u plagosën.
Viktima këto, të cilat i shtohen listës së gjatë të njerëzve që kanë humbur jetën në këto 15 vjet e që vlerësohet të jenë të paktën 200 mijë. Mbeturinat e ISIS nga ana tjetër, pas dëbimit nga qytetet e mëdha, po riorganizohen në zonat rurale, kryesisht ato veriore.
Ndërkohë, përplasjet mes qeverisë qendrore dhe autoriteteve kurde vazhdojnë të mbeten një problem shqetësues. Dhe në këtë situatë irakenët po bëhen gati të shkojnë në zgjedhje 12 Majin e ardhshëm për rinovimin e parlamentit.
Sërish, në listat zgjedhore spikasin përçarjet mes komunitetit shiit dhe atij sunit, pa anashkaluar faktin se në to ndodhen edhe 500 ish-anëtarë të milicive paraushtarake. Me pak fjalë, një situatë shumë larg pritshmërive dhe me dritën në fund të tunelit që nuk duket ende./abcnews.al