Është sistemuar furnizimi me energji në fshatin e Kaninës në Vlorë. Gjatë inspektimit të këtij investimi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka nënvizuar mbështetjen që po i jepet fshatrave me potencial turistik.
Më shumë vëmendje ka marrë Fshati i Kaninës pas përfshirjen në paketën “100 Fshatra”. Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektoi investimin që jo vetëm i siguron furnizim të rregullt me energji elektrike por mbështet edhe sektorin e turizmit në këtë zonë.
“Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi”.
Investimi i OSHEE-së dhe bankës Botërore ka kushtuar 145 milionë lekë,që do tu shërbejë 400 abonentëve, familjarëve dhe bizneseve. Zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike.
Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët./ABC News Albania 24/7