14 vjeçari në Alabama shfaros familjen e tij dhe rrëfen krimin

schedule15:18 - 3 Shtator, 2019

schedule 15:18 - 3 Shtator, 2019

Një 14 vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vrarë të gjithë familjen e tij, prindërit dhe tre vëllezërit. Më pas ai lajmëroi policinë dhe rrëfeu krimin. Masakra ndodhi në banesën e familjes, ndërsa ende nuk dihen arsyet.

Shfarosi të gjithë familjen e tij dhe më pas lajmëroi policinë dhe u rrëfye. Një 14 vjecar vrau me pistoletë mbrëmjen e së hënës pesë persona në Alabama të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Policia konfirmoi se ai po bashkëpunon me autoritetet duke ndihmuar hetuesit të gjejnë armën e vrasjes të cilën e ka lënë pranë banesës ku ndodhi masakra, në veri të vendit në kufi me Tenesi.

Viktimat janë babai i tij, njerka dhe tre vëllezërit. Tre prej tyre ndërruan jetë në vendngjarje ndërsa dy të tjerët sapo mbërritën në spital, raportoi CNN. Sipas mediave amerikane nuk dihen ende arsyet e kësaj tragjedie që ka shokuar opinionin publik. Ndërkohë janë ndezur sërish debatet për armëmbajtjen dhe për mundësitë e shumta që adoleshentët të kenë në dorë armë zjarri. /ABC News Albania 24/7