Shkon në 14 numri i viktimave si pasojë e aksidentit tragjik në Maqedoni. Shtatë persona humbën jetën në vendngjarje, 37 u dërguan menjëherë në spital ku 7 prej tyre ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra.
Aksidenti ndodhi pasditen e së mërkurës në autostradën Tetove-Shkup, pranë fshatit Llaskarcë. Autobusi me pasagjerë humbi kontrollin duke dalë nga rruga dhe është përmbysur. Bilanci i viktimave u konfirmua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një konferencë për shtyp, ndërsa zëvendës ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu deklaroi se ekipet e policisë, shëndetit publik dhe zjarrfikësit koordinuan operacionet për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve. Nga goditja e fortë rreth 40 persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u dërguan nga ekipet e emergjencave në spitalet e Shkupit.Ndërkohë raportohet se mes pasagjerëve është edhe një grua shtatëzënë, e cila ndodhet po ashtu në gjendje të rëndë në Qendrën e Urgjencës në Shkup. Për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit është hapur një hetim nga Prokuroria Themelore, e cila ka dërguar ekspertët e saj në vendin e ngjarjes. Burime nga ky institucion kanë deklaruar se prokurorët e çështjes do të urdhërojnë autopsinë e viktimave, si dhe analizat e gjakut të shoferit të autobusit. Qeveria maqedonase vendosi që e enjtja 14 shkurt dhe e premtja 15 shkurt, të shpallen ditë zie. /abcnews.al