130 pika karburanti në sitën e ISHTI-t, Balluku: Zero tolerance për abuzuesit

schedule16:10 - 13 Shtator, 2019

schedule 16:10 - 13 Shtator, 2019

Aksioni antiinformalitet ka vijuar me bllokimin e dy pikave të karburantit në Tiranë. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se aksionet do të jenë intensive, deri në formalizimin e plotë të këtij sektori.

Gjatë dy ditëve të fundit në Tiranë, 130 pika karburanti kanë kaluar në sitën e kontrollit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial. Gjatë kontrolleve, dy prej pikave të tregtimit janë bllokuar pasi u konstatuan me shkelje. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky aksion do t’i japë fund informalitetit në sektorin e karburanteve.

Belinda Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës: Është  e rëndësishme që të gjitha subjektet të kuptojnë që ka zero tolerancë përsa i përket informalitetit qoftë ky fiskal, qoftë ai cilësor. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një bashkëpunim të mirë ashtu siç kemi dhe sot këtu mes Inspektoratit Teknik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës. Janë konstatuar shkelje përsa i përket cilësisë, kemi marrë masa. Fakti që sot përballemi me një numër më të vogël shkeljesh, në 130 subjekte të kontrolluara gjatë natës së mbrëmshme kanë rezultuar vetëm dy me problem.

Balluku siguroi se aksione të tilla nuk do të jenë sporadike, ndërsa paralajmëroi se nuk do të falet asnjë subjekt që konstatohet në shkelje.

Belinda Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës: Unë u bëj thirrje të gjithëve. Ne do jemi në terren. Të mos përballemi me situata të tilla. Nuk është synimi ynë të kapim sa më shumë subjekte. Synimi ynë është të kontrollojmë këdo dhe të kemi rezultate të mira dhe të pranueshme sipas kritereve, por në rast se këto kritere nuk përmbushen do ketë pasoja kështu siç ka pasur ky subjekt sot i cili është bllokuar dhe nuk do të mundet të funksionojë.

Që prej nisjes së aksionit antiinformalitet janë bllokuar nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial afro 10 mijë tonë karburant, si dhe janë penalizuar me gjoba 24 subjekte tregtare për shkelje të cilësisë dhe sigurisë së tregtimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!