Në takimin e së mërkurës së ambasadorëve në Bruksel, 13 vende anëtare të Bashkimit Europian mes të cilave Italia, Polonia dhe Austria do të zyrtarizojnë iniciativën për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
13 vende anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë Italinë, Poloninë dhe Austrinë kanë ndërmarrë një iniciativë duke dhënë një apel jo të dokumentuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nisma do të zyrtarizohet të mërkurën gjatë takimit të ambasadorëve në Bruksel. Lajmi është publikuar nga Euractiv.
10 vendet e tjera të mbetura janë Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Lituania, Letonia, Estonia dhe Malta.
Lajmi se Polonia është e përfshirë në këtë iniciativë me një dokument informal, ndër vendet anëtare të Europës Qendrore dhe Lindore, u përfol dhe një javë më parë.
Sipas Euractiv që citon burime diplomatike, dokumenti përfaqëson një lloj presioni, i cili synon të sqarojë se ideja që zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian duhet të ndodhë më vonë, është e gabuar.
Dilema mes zgjerimit dhe thellimit të Bashkimit Europian, është artificiale, vijojnë më tepër këto burime; duke pasur parasysh se nuk flitet për të pranuar vende të reja anëtare por vetëm hapje negociatash, shprehet një diplomat i njërit prej 13 vendeve të përfshira në iniciativë.
Franca dhe Holanda aktualisht janë në krye të opozitës për sa i përket hapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin, ndërsa Gjermania është e ndarë – CDU/CSU kërkon shtyrjen e negociatave, ndërsa SPD e Michael Roth mendon se ato duhet të hapen menjëherë.
Nga ana tjetër ministri i jashtëm i Republikës Çeke Tomas Petricek konfirmoi se vendi i tij mbështet idenë e zgjerimit të Bashkimit Europian. /ABC News Albania 24/7