Dymbëdhjetë anëtarë të stafit mjekësor në Holandë janë vendosur në karantinë pasi dyshohet se u ekspozuan ndaj Hantavirus gjatë trajtimit të një pacienti të infektuar nga anija turistike MV Hondius.
Qendra mjekësore Universitare Radboud në Holandë konfirmoi se 12 punonjësit nuk respektuan plotësisht protokollet e rrepta të pajisjeve mbrojtëse personale gjatë trajtimit të gjakut dhe urinës së pacientit të infektuar.
Sipas spitalit, edhe pse rreziku i infeksionit konsiderohet minimal, personeli do të qëndrojë në “karantinë paraprake” për gjashtë javë si masë sigurie.
Pacienti ishte transportuar me helikopter nga anija holandeze, e cila ka qenë në qendër të një alarmi shëndetësor ndërkombëtar javët e fundit. Ai ndodhet i shtruar në spital që prej të mërkurës.
Zyrtarët e spitalit sqaruan se gjaku i pacientit fillimisht ishte trajtuar me masa standarde sigurie, por për shkak të natyrës së virusit, procedurat duhej të ishin më të rrepta.
Hantavirusi është një virus që transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe në raste të rralla mund të shkaktojë komplikacione serioze tek njerëzit.


