Zhvillimet mbi situatën e tragetit së linjës Greqi-Itali që mori flakë në orët e para të mëngjesit sot, në detin Jon, pranë Korfuzit vijnë njëra pas tjetrës. Mediet greke njoftojnë se 4 persona nga 290 që ishin në total në anije janë lënduar, mes tyre është dhe një foshnje 2 muajshe.
Mësohet se në portin e Korfuzit ndodhen katër autoambulanca, ndërsa spitali i ishullit është vënë në gatishmëri.
Deri më tani në spitalin e Korfuzit janë shtruar 3 persona me probleme të lehta respiratore. Njëri prej tyre kishte edhe një problem ortopedik.
Drejtori i Spitalit të Korfuzit foli më herët për televizionin shtetëror për të plagosurit: “Po presim edhe një foshnjë dy muajsh, i cili po transferohet në spital për arsye paraprake”.
Raportohet se 2 pasagjerë janë bllokuar në anije, ndërsa 10 rezultojnë të zhdukur, sipas numërimit nga ekipet e shpëtimit.
Ndërkaq, janë nisur në ndihmë dy anije te rojës bregdetare shqiptare dhe një rimorkiator. Operacioni i shpëtimit ndiqet nga grekët, ndërsa forcat tona janë duke qëndruar në distancë. Sipas përfaqësuesve të forcave të armatosura, anijet shqiptare janë në gatishmëri dhe në ndërhyrje të shpejtë.
Deri tani nuk ka qenë nevoja e ndërhyrjes. Anija është zhvendosur dhe ndodhet midis Himarës e Portopalermos. /abcnews.al