Basha akuza ndaj Qeverisë: Rama mbron kriminelët në pushtet

schedule13:46 - 23 Nëntor, 2017

schedule 13:46 - 23 Nëntor, 2017

Lulzim Basha deklaroi se ngjarjet që po dalin ditë pas dite provojnë qartë se Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar.

“Me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit. Edi Rama ka lejuar dhe bekuar me vetëdije të gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë”.

Basha tha se Rama për tre vite manipuloi opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar për të mbuluar të vërtetën e krimit, duke i dhënë atij kohën dhe qetësinë për të vepruar deri në manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Strategjia ishte e tillë:

“Banalizo gjendjen e krimit, banalizo të vërtetën, sulmo median, sulmo opozitën, përdor mercenarë shqiptarë dhe të huaj për të shtrembëruar të vërtetën”.

Sipas tij, hapi i parë për dekriminalizimin e qeverisë, policisë dhe gjithë strukturave të shtetit është largimi i Edi Ramës nga qeverisja, ndërsa e akuzon se po kërkon të vendosë nën kontroll sistemin e drejtësisë:

“Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe”.

Por deri tani Partia Demokratike ka heshtur mbi vendimin e mazhorancës që Kuvendi të zgjedhë një prokuror të përkohshëm në kushtet kur Adriatik Llallës i përfundon mandati dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk është ngritur për të propozuar emrin e ri. Në këtë dalje publike Lulzim Basha deklaroi se Partia Demokratike nuk do të lejojë Edi Ramën që të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm:

“Një prokuror i përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë”.

Basha tha se përpjekja e socialistëve që nuk i kanë 84 vota, është në konflikt total edhe me frymën e Kushtetutës dhe të reformës në drejtësi.

“Dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimir ka të drejtë të votojë.  Pra, i bie që një prokuror i përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë Saimir Tahirin”.

Kreu i opozitës nuk u ndal për pyetje të tjera, por në ikje u tha gazetarëve se të rejat do vazhdojnë të dalin./abcnews.al

 

https://youtu.be/cQGcc7JXJx0

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!